Ekspertiza e Kacifas, prokurorët i kërkojnë ekspertëve që të nxitojnë

Ekspertiza e Konstandino Kacifas në Bularat ishte kryefjala e një mbledhjeje urgjente të thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Dy nga zyrtarët e mjekësisë ligjore u kërkuan në takimin me grupin e hetimit që po zbardh ngjarjen e Bularatit, të regjistruar për veprat e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të efektivëve të policisë dhe të nxitjes së urrejtjes mes kombeve.

Siç thotë një burim jo zyrtar, Prokurorët e Krimeve të Rënda ju caktuan afat mjekëve ligjorë për të mbyllur sa më shpejt ekspertizën, në përfundim të të cilës akuza do të lëshojë edhe lejen e ceremonisë së varrimit, një procedurë kjo që parashikohet nga ligji për rastet kur ka pretendime të kundërta nga të afërmit e viktimës.

Trupi i Kacifës u soll në Tiranë pas qëndrimit të prindërve të tij që hedhin dyshime për mënyrën si u qëllua nga policia.

Por pavarësisht kësaj prokuroria ka të administruar edhe raportin e shërbimit të forcave RENEA ku shpjegohen të gjitha fazat e këtij aksioni për kapjen e Kacifës, i cili u vra gjate shkëmbimit me armë zjarri.

Nga ana tjetër, ekspertizë pranë policisë shkencore po kryhet edhe për armën tip kallashnikov me dylbi të përdorur nga 35-vjeçari jo vetëm kur qëlloi ndaj RENEA-s dhe forcave “Shqiponja”, por edhe kur shtiu në ajër dhe ndaj dy automjeteve të Policisë Rrugore që ishin të parkuara në qendër të fshatit./tch/