Eksperti i sigurisë Agim Musliu ka reaguar lidhur me lajmin e kinse të rrahjes së Bozhana R. nga shqiptarët, të publikuar nga Kosovo Online.

Sipas Musliut, redaktorët e kësaj medie që jetojnë në Beograd duhet ta mësojnë gazetarinë, e jo të propagandohet.

“Kjo media dhe redaktorët e saj që jetojnë në Beograd, do të duhej ta mësonin më me marifet gazetarinë. Por, ky rast, më shumë po i ngjan një propagande sikur dikur incidenti i Djordje Martinoviqit”, thuhet në reagimin e Musliut.

Ai ka shtuar se, rastet e tilla të shpifjes ishin të shpeshta në vitet 80-ta, që ishte një përgatitje e terrenit nga UDB-ja para ardhjes së diktatorit Sllobodan Millosheviq në skenë.

“Në këtë kohë, në vitet e 80-ta, kur dikatori Millosheviq po vinte në skenë, UDB-ja ia kishte pergatit terrenin me kësi raste të fabrikuara… ‘Pritisak’ (shqip: Presion/Shtypje) ishte çdo gjë që ‘shqiptarët ua bënin serbëve’. Edhe qeni kur e kafshonte ndonjë serb, ishte ‘Pritisak šiptara nad srbima’ (Shtypja e shqiptarëve ndaj serbëve)”, përfundon ai.

Mediet serbe raportojnë se 84-vjeçarja është duke u shëruar në Mitrovicë të Veriut, pasi është rrahur nga dy sulmues të maskuar të cilët kanë tentuar ta grabisin.