Eksperti i sigurisë: Kërcënimet e Serbisë janë serioze, duhet të adresohen tek faktori ndërkombëtar

Për pesë ditë me radhë pesë sulme të njëpasnjëshme ndaj Policisë së Kosovës afër pikave kufitare në veri të vendit në ditët e fundit po shihen si alarm serioz për sigurinë e Kosovës.

Këto sulme duhet të trajtohen me seriozitet si tentativë për destabilizimin e rajonit të Ballkanit, kështu thotë eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi për Demokracia.com.

“Pasi që janë në vazhdimësi këto sulme të njëpasnjëshme në pjesën veriore, tregojnë se këto akte, që tani po quhen edhe terroriste,  mund të shkaktojnë incidente të përmasave më të mëdha. Prandaj kjo është serioze dhe ka elemente jo vetëm të krimit të organizuar të brendshëm me elemente kriminale terroriste, por edhe sulme nga territori i Serbisë”, ka thënë Ibishi.

Ibishi thotë së paralajmërimi apo frikësim nga Serbia ndaj Kosovës, është kërcenim serioz dhe se duhet të adresohemi tek faktori ndërkombëtar.

“Frikësim nga pala serbe ndaj Kosovës, është deklaratë e Vuçiqit, pra është një paralajmërim dhe kërcënim serioz ndaj Kosovës dhe si i tillë duhet të adresohen tek faktori ndërkombëtar”, ka thënë Ibishi.

Se a duhet të trajtohen me seriozitet këto sulme si tentativë për destabilizim të gjithë rajonit të Ballkanit, eksperti i sigurisë thotë se këto kanë qenë paralajmërime të mëhershme, por tash së fundmi për shkak të dinamikës së caktuar ato më tepër kanë qenë kërcënime publike e mediale nga Rusia, aleati i Serbisë.

“Këto kanë qenë paralajmërime të mëhershme, por që tash së fundmi për shkak të dinamikës së caktuar ato më tepër kanë qenë kërcënime publike e mediale nga liderët e Rusisë edhe të ministrave të Rusisë dhe ushtrisë ruse. Kjo pasi që këta janë aleatë të Serbisë, por tash ka elemente të veprimit, pra është një kërcënim serioz. Por prapë e shoh që Serbia ka kapacitet të ngrit tensione, por më tepër kanë qëllime të përbejnë tension se sa të ndërmarrin veprime ndaj Kosovës”, ka thënë eksperti i sigurisë.