Eksperti i mjedisit: Veturat më të vjetra se 10 vjet po e dëmtojnë rëndë ambientin në Kosovë

Importi dhe përdorimi i veturave më të vjetra se 10 vjet po e dëmtojnë rëndë ambientin në Kosovë. Kështu shprehet për Telegrafin profesori i Mjedisit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Zeqir Veselaj duke shtuar se këto vetura vazhdojnë të janë të dëmshme për ekosistemin në vend.

Veselaj thekson se këto vetura mund të shihen si zgjidhje afatshkurtër për qytetarët, për shkak të kostos së ulët që kanë, mirëpo assesi zgjidhje për një periudhë të gjatë.

“Në Kosovë pas sektorit energjetik që përfaqësohet me KEK-un, ndotësi i dytë më i madh i mjedisit në kategorizimin e ndotësve është sektori nga transporti. Sektor ky që ka evoluar fuqishëm në pas luftën e Kosovës, kryesisht me importin e një numri jashtëzakonisht të madh të veturave. E që për fatin tonë të keq shumica nga këto vetura janë të vjetra, të cilat për arsye të kostos më të ulët të blerjes, janë sjellë këtu. Mirëpo sa më e vjetër që është një veturë dëmi që i shkakton mjedisit është më i madh”, thekson Veselaj.

Ai e potencon faktin se “varrezat” e makinave në Kosovë, vitet e fundit janë duke lulëzuar.

“Duke qenë se shumica e këtyre veturave janë afër jetës së tyre. Po i shohin që këto deponitë për mbledhjen e hekurishteve po janë për çdo të me karrosieri të këtyre veturave. Në një farë forme këto varrezat e makinave në Kosovë, veç kanë lulëzuar në këto vitet e fundit. Këto janë ndikimet më direkte, në mjedis që i shkaktojnë veturat e vjetra”, tha ai.

Eksperti i mjedisit, po ashtu thotë se ambientalistët janë shumë të shqetësuar me idenë për zgjatjen e importit të veturave të vjetra në Kosovë.

Ai tutje e konfirmoi se jo vetëm ai është kundër këtij vendimi, por edhe çdo organizatë mjedisore.

“Ne si ambietalistë, jemi shqetësuar bukur shumë me idenë, që po qarkullon këta muajt e fundit se edhe ky kufizimi 10 vjeçar në importin e veturave, do të lëvizet. Që nënkupton se do të zgjerohet vjetërsia e veturave. Nëse shikohet kjo nga aspekti i ndihmës ekonomike për qytetarët e vendit, mund të jetë një lëvizje pozitive. Mirëpo për ne si ambientalistë, çdo lëvizje në drejtim të zgjerimit të vjetërsisë së veturave që do të sillen shkon në disfavor të mjedisit, pra shkon duke e rënduar cilësinë e ajrit e cila edhe ashtu është e lënduar në Republikën e Kosovës. Kështu që në parim edhe unë dhe çdo organizatë mjedisore jemi kundër këtij vendimi”, deklaroi Veselaj.

Në anën tjetër, profesori çuditet, se nga ka rrjedhë ky vendim që të zgjatet vjetërsia e importit të veturave.

“Se çfarë duhet bërë Qeveria e din mirë këtë, sepse i ka ligjet dhe strategjitë të cilat i ka aprovuar vetë. Nuk e di prej nga ka rrjedhë ky vendim që po dëshiron të merret, që të zgjatet vjetërsia e importit të veturave. Por e gjitha se çfarë duhet të bëjë Qeveria është që t’i zbatojë politikat dhe ligjet që vetë i ka aprovuar. Kaq duhet”, u shpreh ai.

Se vendi ynë, duhet ta ndjek praktikën e vende evropiane në këtë aspekt e pohon edhe profesori Veselaj.

Sipas tij këto vetura të vjetra shtetet e Bashkimit Evropian, janë duke i larguar nga përdorimi dhe të njëjtat pastaj po vijnë në Kosovë, me çmime të lira.

“Në rastin e veturave të vjetra duhet të ndjekim shembullin e vendeve të rajonit dhe ato të BE-së, të cilat për çdo ditë po bëjnë përpjekje se si t’i zvogëlojnë emisionet dhe shkarkimet nga veturat në ajër. Në sektorin e transportit shkarkimet nga veturat prijnë. Bashkimi Evropian vetura të tilla tani është duke i larguar nga përdorimi dhe ato mund të vijnë me çmime të lira këtu”, tha ai.

Kurse ndikimet e dëmshme në mjedis sipas Veselajt, janë shkaktimi i efektit të serrës dhe ndikimet e tjera që lidhen direkt me ngrohjen botërore.

Veturat shkaktojnë si produkte djegëse, ato lirojnë edhe dyoksid karbon që ka efekt të serrës dhe kjo ka ndikim direkt në ngrohjen globale. Ndikimet janë të mëdha dhe janë evidente në shëndetin publik të qytetarit”, përfundoi Veselaj.

Nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme, në Kosovë janë të regjistruara gjithsej 395,840 vetura. Prej tyre, vetëm 74 janë 100 për qind elektrike. Numri më i madh i veturave është i atyre që përdorin naftën për djegie, pra 329,403 të tilla.

Qeveria e Kosovës është duke e diskutuar lejimin e importit të veturave më të vjetra se 10 vjet. Ndërsa kjo gjë, bie drejtpërdrejtë ndesh me Ligjin i cili është miratuar qysh në vitin 2017 dhe i cili aktualisht është në fuqi, e që thotë se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet.

Që nga 1 janari i vitit 2018, të gjitha veturat e kategorisë më të vjetra se 10 vjet dhe ato që nuk kanë motor të standardit “Euro 4” nuk mund të zhdoganohen brenda territorit të Kosovës.

Kjo ishte bërë për shkak të kufizimeve ligjore në import dhe për të ruajtur ambientin nga lirimi i gazrave të makinave.

Përcaktimi i vjetërsisë merret për bazë viti i parë i regjistrimit i cili duhet të jetë brenda periudhës 01 janar deri 31 dhjetor të vitit 2012.

Në përgjithësi mesatarja e vjetërsisë se veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet, apo rreth 10 vjet më shumë sesa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda Bashkimit Evropian.