Armët e sekuestruara në Banjskë të Zveçanit, ishin të përshtatshme për t’iu kundërvënë Policisë së Kosovës. Ekspertët e sigurisë kanë treguar, rrugën të cilën kanë kaluar këto armë dhe funksionin që kanë.

Një arsenal i madh armësh që i përkisnin një grupit terrorist është konfiskuar nga Policia e Kosovës të dielën.

E ky grup kishte analizuar mirë armatimin e Policisë së Kosovës.

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi ka treguar funksionin e armëve të sekuestruar në Banjskë të Zveçanit.

“Armatimet janë ekuivalente për të asgjësuar armatimin e Policinë e Kosovës. Armatimi kundërblindues, i paralizon të gjitha autoblindat që ka Policia e jonë. Pashë edhe mortaja rreth 60 mm, është armatim që nga distanca paralizon njësitë e këmbësorisë. Gjithashtu aty ishte një granatahedhëse automatike që përdoret për luftë kundër këmbësorisë”, tha eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi për tëvë1.

Sipas ekspertit të sigurisë, këto armë janë kryesisht prodhim jugosllavë e serbë.

“Një pjesë e tyre si zolla, mund të jetë prodhim i ish Jugosllavisë, mirëpo e cila është brenda arsenalit të ushtrisë jugosllave, por edhe të prodhim të Serbisë, pra prodhim i vonshëm, ne nuk mund të presim që mund të gjejmë ndonjë litar të fuqishëm që do ta lidhë me Qeverinë e Serbisë”, u shpreh Kajtazi.

Rruga e këtyre armëve deri në Kosovë, sipas ish eprorit të UÇK-së, njëherësh ekspertit të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka nisur nga depot e forcave të armatosur të Serbisë.

“Këto janë marrë nga depot e forcave të armatosur të Serbisë. Pra kanë një datë të caktuar të prodhimit që tregon që janë furnizim i ri, e jo siç po thonë në Serbi që janë armët të mbetura nga lufta në Kosovë. Është armatim i frikshëm për me zhvillu operacion luftarak”, deklaroi eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

E për përdorimin e tyre duhet një trajnim profesional.

“Ata kanë qene mirë të trajnuar dhe të pajisur mirë. Ne po shohim arsenalin e armatimit. Këtu ka qenë një plan më gjithëpërfshirës”, deklaroi Ibishi.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se edhe të hënën është sekuestruar një sasi e konsiderueshme e armatimit që është përdorur dhe pritej të përdorej në vijimësi nga pjesëtarët e kësaj bande kriminale.