Paralajmërimi

Ekspertët e sigurisë: A po përgatitet Vuçiq për një luftë të re? Serbia nuk ka para për të rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak!

Herë pas here në Serbi ngrihet tema e kthimit në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ju kujtohet, Aleksandar Vuçiq në gusht të vitit 2018 kishte deklaruar se “po mendonte sërish për shërbimin e detyrueshëm ushtarak”, pas së cilës ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Aleksandar Vulin deklaroi se ishte gjithashtu i gatshëm të “sakrifikonte 15 ditë të jetës së tij” për stërvitjen ushtarake.

Ideja po “rrotullohet” sërish në hapësirën publike serbe. Përmendet trajnimi për katër muaj. Por, nga ana tjetër, ka kundërshtime që tregojnë se është një sipërmarrje e vështirë, dhe në të njëjtën kohë shumë e shtrenjtë! Gjegjësisht, Serbia ka futur ushtrinë profesionale 13 vjet më parë dhe shërbimi i detyrueshëm është hequr.

Situata në ushtrinë serbe, shkruan e përjavshmja beogradase NIN, mbase më së miri tregohet nga informacioni i paraqitur nga Sindikata Ushtarake në vitin 2021 – se gati 10.000 profesionistë të trajnuar u larguan nga ushtria atje dhe se gjendja operacionale e ushtrisë, kur bëhet fjalë për burimet njerëzore, “është larg asaj që i tregohen në krye të shtetit nga zyrtarët ushtarakë”. Kjo është ndoshta arsyeja pse analistët ushtarakë vlerësojnë se edhe 30 për qind e njerëzve i mungojnë fuqisë së ish-ushtrisë. Në këtë kuptim, katër muaj trajnim vështirë se do t’i ndryshonin gjërat në mënyrë të konsiderueshme, transmeton Ballkani.info.

Ministri i Mbrojtjes dhe (sigurisht vetëm formal, sepse i vërteti quhet Aleksandar Vuçiq) lideri i SNS-së, Millosh Vuçeviq, në një shpjegim të shkurtër të iniciativës për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ndër të tjera thotë se “nevojat, mbrojtja dhe siguria janë që Serbia të ketë rekrutë të rinj dhe një përbërje të re, e cila është gjithmonë e gatshme të mbrojë vendin”, që do të thotë se sugjeron mundësinë e ndonjë konflikti të ri.

Ish-shefi i Drejtorisë për Marrëdhënie me Publikun e Forcave të Armatosura të Serbisë dhe pjesëtar i lëvizjes Qendra e Serbisë, Petar Boshkoviq tha se fillimisht duhej të ishte “shqyrtuar” tërësisht gjendja e sigurisë dhe se, sipas informacioneve që ai ka, nuk është bërë.

“Natyrisht, ky është një vendim politik që qeveria mund ta marrë përmes parlamentit, por garantoj që nuk mund të zbatohet në praktikë. Kjo nismë shërben për të mbuluar faktin se kjo qeveri gradualisht po heq dorë nga Kosova. Epo, kohët e fundit u vendos që makinat me targa të Kosovës të kalojnë pa pengesa nëpër Serbi, dhe vitin e kaluar për shkak të saj pothuajse shpërtheu lufta! Që nga viti 2017, ideja e kthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, nëse është e nevojshme, është hedhur në media. Për më tepër, besimi tek ushtria si institucion ka rënë në mënyrë dramatike vitet e fundit. Dhe deri vonë, ajo arrinte në pothuajse 70 për qind. Pse ndodhi kjo? Epo, sepse në këto 11 vite kanë ndryshuar shtatë ministra të mbrojtjes. Kjo thjesht nuk është bërë! Vuçeviqi nuk e ka idenë për sistemin dhe të gjithë këta ministra kanë këshilltarë të këqij që i bëjnë lajka njëri-tjetrit”, thotë Boshkoviq.

Ai kujton gjithashtu se nga viti 2007 deri në vitin 2010, rezultatet e profesionalizimit të ushtrisë ishin të jashtëzakonshme dhe se në atë kohë ishin 10 mijë ushtarë me kontratë me tendencë që një pjesë e madhe të “përkthehej” në përbërjen e ushtrisë serbe. Ai po ashtu përmend se në atë kohë ushtria ishte rreth 90 për qind me njerëz dhe se problemet filluan diku në vitin 2012…

“Nuk janë krijuar as rezerva aktive dhe as pasive. Përveç kësaj, kur kemi filluar me profesionalizimin, në atë kohë kemi ofruar kushte të mira, një pagë solide, ndërsa tani është nën mesataren e vendit. Nuk është sekret që pjesëtarët e ushtrisë nuk jetonin me rroga, por me përfitime të tjera”, thotë Boshkoviq.

“Me ardhjen e Vuçiqit si ministër i mbrojtjes, rroga ditore u ul në 150 dinarë. Sot është 1100, që është vetëm gjysma e shumës që kemi paguar pesëmbëdhjetë vjet më parë. Natyrisht, atëherë fillon zhveshja e personelit. Dhe jo vetëm ushtarët, por edhe nënoficerët dhe oficerët. Në Lituani, p.sh., një ushtar ka rrogë 3000 euro, dhe në Suedi dhe Norvegji, të cilat gjithashtu kanë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, njerëzit që nuk kanë shërbyer nuk mund të gjejnë punë në shërbimet publike”, thekson Boshkoviq për NIN.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi, Dragan Paskash, në deklaratën e tij për Danas, thekson se Vuçeviqi si njeri në pozitë të përgjegjshme duhet të dalë me një plan të gatshëm dhe se ai e sheh një njoftim të tillë vetëm si një lëvizje sipërfaqësore.

“Ky hap nënkupton që parashihen në buxhet, sepse nëse dikush pret të kthejë një ushtar në ambientin e 20 viteve më parë, ku ishin 20 në një konvikt, atëherë ai nuk e kupton sistemin ose ka qëllime të këqija. Në vende të tjera, njerëzit tani kërkojnë akomodim gjysmë-hotel, ushqim të duhur, kohë kushtuar vetes”, tha Paskash.

Momentin material Boshkoviq e sheh gjithashtu si një nga problemet kryesore në zbatimin e idesë së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Ai thekson se oficerët kanë pasur të ardhura të barabarta me tre paga mesatare në Serbi.

“Jepni këto kushte dhe nuk do të keni asnjë problem. Edhe ata që ishin në shërbimin vullnetar ushtarak, kur shohin si jeton eprori i tyre, largohen nga ushtria. Ky është problemi kryesor. Për të mos përmendur faktin që duhen një shumë e madhe parash për të hequr të gjithë këtë gjë. Në kohën kur ministër ishte Zoran Gjorgjeviq, flitej për një shumë prej 700-800 milionë euro”. /Ballkani.info/