Ekspertët e Shtëpisë së Bardhë: Transmetimi i Covid-19, me frymëmarrje dhe duke folur

Një panel prestigjioz shkencëtarësh të Shtëpisë së Bardhë ka zbuluar se hulumtimet tregojnë që koronavirusi mund të përhapet jo vetëm nga teshtitja ose kollitje, por edhe vetëm thjesht duke folur, apo dhe më keq, ndoshta edhe vetëm me frymëmarrje.

“Ndërsa hulumtimi specifik aktual mbi koronavirusin është i kufizuar, rezultatet e studimeve në dispozicion janë në përputhje me kalimin e tij nga frymëmarrja normale”, sipas letrës së shkruar nga Dr Harvey Fineberg, kryetar i një komiteti në bashkërendim me Akademinë Kombëtare të Shkencave.

Fineberg tha për CNN se personalisht, do të nisë të mbajë maskë kur shkon në ndonjë dyqan ushqimor. “Nuk do të mbaj maskë kirurgjikale, se për ato ka nevojë personeli mjekësor”,- tha Fineberg, ish-dekan i Shkollës së Shëndetit Publik në Harvard.

“Por kam një shall të mirë me punim të ngjeshur që do ta përdor. Mundësi ka shumë”,- shton ai. Dr Anthony Fauci, anëtar kryesor i grupit të punës të ngritur nga Shtëpia e Bardhë për pandeminë, sqaroi se ideja për të rekomanduar përdorimin e gjerë të maskave në SHBA si mënyrë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, është në diskutim.

Në letrën e ekspertëve theksohet se ka shumë gjasa që koronavirusi të përhapet dhe gjatë një bisede të thjeshtë, e jo vetëm me spërkla. Sipas tyre, mjafton që pacienti të marrë frymë që ta lëshojë virusin në ajër.