EKSKLUZIVE: Vajza nga Drenasi flet për Ballkani.info – Avokatin Gazmend Halilaj e kam si vëlla

Rasti i abuzimit të vajzës së mitur nga Drenasi nxiti reagime të shumta si nga qytetarët, politika dhe shoqëria civile.

Ditëve të fundit, prokuroria ka njoftuar opinionin se në proces të hetimeve është intervistuar edhe avokati Gazmend Halilaj, i cili e kishte bërë këtë rast publik.

Nga gjetja e provave gjatë hetimeve, është dyshuar se edhe Halilaj ka abuzuar me vajzën, ndërsa këto pretendime avokati Halilaj i ka hedhur poshtë kategorikisht. Ai ka thënë se do të presë që drejtësia ta thotë fjalën e fundit.

Ndërkaq, vajza (emër i njohur për redaksinë tonë) ka folur sonte ekskluzivisht për Ballkani.info.

Ajo ka thënë se avokatin Gazmend Halilaj e ka si vëlla.

“Avokatin Gazmend Halilaj e kam si vëllai, ai më ka shpëtuar jetën dhe më ka shpëtuar nga të tjerët dhe nga Vesel Veseli (polici)”, ka thënë vajza për Ballkani.info.

Në anën tjetër, Ballkani.info sot ka folur edhe me nënën e vajzës. Ajo ka thënë se vajza është duke u ftuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë tash e tri ditë.

“Vajza nuk ka dalur nga shtëpia që nga publikimi i rastit dhe po ka probleme me gjumë. Edhe ditën e sotme, diku nga ora 9 e mëngjesit ka shkuar në prokurori. Ata kanë ardhë ta marrin për tri ditë rradhazi”, ka thënë nëna e vajzës.

Se vajza është marrë në pyetje për tri ditë rresht nga Prokuroria e ka konfirmuar edhe Kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Imer Beka.

“Është e vërtetë që vajza është duke u intervistuar për të tretën ditë me radhë në prokurori. Intervistimi nuk ka të bëjë vetëm me avokatin por me hetimet e prokurorisë në përgjithësi. Intervistimi i vajzës ka mbaruar ditën e sotme”, ka thënë Beka për Ballkani.info.

Kujtojmë se për rastin në Drenas ishte thirrur edhe seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës nga deputetët e opozitës për të diskutuar rreth përgjegjësisë institucionale rreth rastit. /Ballkani.info/