EKSKLUZIVE| Raporti top-sekret 78 ditorë të sulmeve të NATO-s ndaj Serbisë

Sot janë bërë 23 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, që asokohe përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi. Bombardimet ndaj Serbisë zgjatën nga 24 marsi deri më 11 qershor të vitit 1999.

Kjo ishte ndërhyrja e dytë e rëndësishme e NATO-s në hapësirat e ish-Jugosllavisë, pas bombardimit të pozicioneve të forcave ushtarake të serbëve të Bosnje e Hercegovinës rreth Sarajevës në vitin 1995.

Operacionet e NATO-s përfunduan pas nënshkrimit të marrëveshjes tekniko-ushtarake për tërheqjen e ushtrisë dhe policisë jugosllave/serbe nga Kosova.

Arsyet e fillimit të bombardimeve ishin pikërisht zhvillimet në Kosovë dhe gjenocidi që Serbia kryente ndaj shqiptarëve për një kohë të gjatë.

Masakra në Reçak shënoi kthesën në luftë, pasi që komuniteti ndërkombëtar humbi durimin me politikat gjenocidale të Millosheviqit dhe mori vendimin për intervenim ushtarak për të parandaluar eskalimin e mëtejshëm të dhunës në Ballkan.

Ish-diplomati amerikan Richard Holbrook u takua për herë të fundit me Sllobodan Millosheviqin në mars të vitit 1999, ku i ofroi shansin e fundit që të pranonte Marrëveshjen e Rambujesë, por ai i refuzoi kushtet, gjë që çoi në nisjen e bombardimit të NATO-s kundër Serbisë.

NATO fillimisht sulmoi caqet përreth Novi Sadit dhe Beogradit. Një nga caqet kryesore të sulmeve të ashpra të forcave të NATO-s ishte Aeroporti i Beogradit në Batajnicë, si dhe caqet ushtarake në komunat Vozhdovac, Gorcka, Pançevë dhe fabrika e avionëve Utva, si dhe zonat Kovin dhe Kaçarevo.

NATO-ja bombardoi edhe caqe të rëndësishme të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Gjatë bombardimit të Serbisë, avionët e NATO-s kanë realizuar 38.000 fluturime, duke sulmuar depot dhe fabrikat e armëve të Serbisë në Beograd, Nish, Novi Sad dhe Prishtinë.

Demokracia.com ka siguruar ekskluzivisht raportin top-sekret të Ministrisë serbe/jugosllave të Mbrojtjes së asaj kohe, ku në detaje janë paraqitur sulmet e NATO-s në Serbi, Mal të Zi dhe në Kosovë për 78 ditë.

Në këtë raport përmendët numri i bombardimeve brenda një dite, vendet e goditura, numri i projektilëve të lëshuar, caqet, pasojat në njerëz, dëmet në infrastrukturë ushtarake dhe civile, shkatërrimet e pajisjeve ushtarake dhe detaje tjera.

Demokracia.com do të publikojë çdo ditë raporte 24 orëshe të sulmeve të NATO-s ndaj forcave serbe para 23 vjetësh, duke paraqitur në detaje bombardimet për 78 ditë me radhë.

DITA 1 e bombardimeve – 24 mars 1999

Sipas këtij raporti top-sekret, bombat e para nga avionët e NATO-s ndaj caqeve të forcave serbe janë hedhur në orën 19 e 50 minuta në tri lokacione në Novi Sad. Objektet e para që janë sulmuar ishin kazerma “Majevica” në Detelinare, objekti “Paragovo” dhe objekti i Forcave Speciale Anti-Terroriste (SAJ) në Klisa.

Sulmi i radhës ishte kryer në Prishtinë në orën 20:00, po ashtu në objektin e SAJ-it në Hajvali. Në këtë cak ishin hedhur 5-6 projektilë, derisa në Novi Sad 7 projektilë në tri lokacionet e lartpërmendura. Në objektin e SAJ-it në Novi Sad, përveç shkatërrimit të objektit kishin pësuar edhe dy policë, derisa në Hajvali nuk ishte raportuar për të vrarë dhe të lënduar.

Sulme të koordinuara të NATO-s në orën 20:00 të 24 marsit kishte edhe në Aeroportin Ushtarak të Somborit, pastaj në Beograd në orën 20:05, ku ishte shkatërruar sistemi raketor i ushtrisë serbe “Kijevo-Rakovica”, përcjell Demokracia.com.

Në 20:05 bombat e NATO-s goditën me kazermën e ushtrisë serbe “Ratko Pavloviq” në Prokuple, ku të vrarë mbetën dy ushtarë dhe u shkatërrua kazerma e depoja e armëve.

Vetëm 10 minuta më pas bombat e NATO-s goditën Mladenovacin, objektin e njësive raketore të ushtrisë serbe në fshatin Mala Vërbica. Ndërsa, në 20 e 15 u godit me dy raketa edhe baza raketore në Kaçarevo, afër Pançevës.

Në të njëjtën kohë, bombardime kishte edhe në Kurshumli, Smederevë dhe në Uzhicë. Në Kurshumli, aeroplanët e NATO-s e goditën kazermën “Drinka Pavloviq”, ku mbeti i shkatërruar vendi i komandës dhe një depo e ushtrisë e quajtur “Mirinçka reka”. Në Smederevë u godit baza raketore “Vuçak”, kurse në Uzhicë u godit “Bërdo Brijac” – Murtenica.

Në 20 e 20 Beogradi sërish gjëmoi nga bombat e NATO-s të cilat kësaj here ranë mbi radarët e ushtrisë serbe. Po në këtë kohë, tri bomba u lëshuan në kazermën “M. Blagojeviq” në Kragujevc, pastaj në Kullë u lëshuan po ashtu tri bomba nga avionët e NATO-s në objektin e JSO-së (Njësia Speciale Operative e Serbisë).

Ndërkaq, sulmi më i madh në natën e parë u krye në Aeroportin Ushtarak të Beogradit në Batajnicë. Në raportin top-sekret të siguruar nga Demokracia.com thuhet se në këtë aeroport ranë shumë raketa që shkatërruan pistën, hangarin për avionë dhe depon për pajisje të avionëve.

Në orën 20 e 30 u sulmua edhe Mitrovica e Sremit më 2-3 projektilë, pastaj sërish Beogradi duke u goditur sistemi i radarëve. Aeroporti i Sllatinës, siç njihej asokohe, u godit në orën 20 e 40 me tri raketa dhe pastaj edhe baza raketore e ushtrisë serbe në Bardh të Madh (Bellaçevc).

Sulmi i radhës pasoi në 20 e 45 në Uzhicë, respektivisht në Aeroportin “Ponikve”. Në të gjitha këto sulme, përveç dëmeve të mëdha në infrastrukturën ushtarake dhe civile, nuk raportohej për dëme në njerëz.

Aeroporti i ushtrisë serbe në Sombor ishte caku i radhës. Po në 20 e 50 flakë mori edhe Aeroporti “Laçevci” në Kralevë dhe sistemi i radarëve në Kopaonik.

Në 21:00 sulmi ndodhi në Pançevë, në fabrikën e avionëve “Utva”. Sipas raportit top-sekret të siguruar nga Demokracia.com, gjatë këtij sulmi u dëmtuan releja, por nuk kishte të lënduar. Kazerma “Borovljak” në Kurshumli në orën 21 e 15 u godit më 5 projektilë.

“U godit vendi i komandës, bunkeri i betonit përmes hapjes për ajrosje – mbetën të vrarë dy nënkolonelë të ushtrisë serbe dhe nëntë ushtarë, derisa 24 pjesëtarë të ushtrisë mbetën të plagosur rëndë dhe lehtë”, thuhet në raportin top-sekret të ministrisë serbe.

Bombardime kishte edhe në Zrenjanin, ku një avion MIG 29 u rrëzua në tokë nga raketa e avionit të NATO-s, derisa piloti arriti të katapultohej.

Pas mesnatës të ditës së parë të sulmeve të NATO-s, në Prishtinë u godit fabrika e plastikës, ku thuhet se e gjithë fabrika ishte shkrumbuar. Në orën 1 pas mesnatës, në raport thuhet se një bombë ra në rrugën “Vuk Karagjiq” në Gjakovë, ku si pasojë u dogjën disa shtëpi të shqiptarëve.

Në orën 3 të mëngjesit, ushtria serbe pësoi edhe një dëm të madh. Në Aeroportin “Batajnica” u godit avioni serb pak para fluturimit. Po në 3 të mëngjesit u sulmua një konvoj me mjete të rënda ushtarake në Jakovë, afër Beogradit.

Në 3 e 40 sërish pati sulm në fabrikën e avionëve “Utva” në Pançevë. Kësaj here u shkatërrua salla e montazhit, me një numër të madh avionësh në remont. Dita e parë e sulmit të NATO-s mbi caqet e forcave serb u përmbyll me sulmin ndaj njësitit JSO në Kullë, në orën 4 të mëngjesit. /Demokracia.com/

Vazhdon…