Ekskluzive: Numri i veteranëve në Kosovë më i madh se tërë ushtria e Serbisë (DOKUMENT)

Serbia, me nisjen e luftës në Kosovë, pati bërë llogari që me një numër të caktuar forcash do ta “mbrojë” territorin e shtetit tonë, por kjo matematikë i doli krejtësisht ndryshe.

Pas fillimit të luftës së armatosur në Kosovë në pranverën e vitit 1998, Serbia nisi graudalisht ta rriste numrin e ushtarëve dhe policëve, ndërsa kulmi u arrit pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në mars të vitit 1999.

Forcat serbe u përballën në shumë beteja me ushtarët e UÇK-së, ndërsa shquhen ato në Rrafshin e Dukagjinit ku lufta ishte krejtësisht frontale.

Beteja e Gllogjanit në vitin 1998, ajo e Loxhës po atë vit, pastaj beteja e Koshares në pranverë-verë të vitit 1999 bënë që forcat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe ta kuptonin qëllimin madhor të shqiptarëve për çlirim.

Dihet se forcat e UÇK-së nuk kishin armatim të rëndë, përveç atyre që luftuan në Koshare, po ashtu edhe numri i forcave tona nuk ishte i madh dhe luhatej kohë pas kohe, pasi që ofensivat serbe ishin të ashpra.

Për të ditur numrin e saktë të forcave serbe në terren është e vështirë, pasi që ato rriteshin varësisht betejave dhe luftimeve. Megjithatë, ekziston një listë e ushtarëve të rregullt serbë që ishin në Kosovë gjatë luftës.

Ballkani.info e ka siguruar ekskluzivisht listën e ushtarëve serbë që ishin në Kosovë deri në përfundim të luftës.

Sipas listës së ndarjeve të armëve për Ushtrinë e ish Jugosllavisë, numri i përgjithshëm vetëm i ushtarëve, jo policëve dhe paramilitarëve serbë, ka shkuar në 34 mijë e 716 ushtarë.

Më së shumti ushtarë ka pasur në Prishtinë, 7878, pastaj në Mitrovicë kanë qenë 7436.

Në Pejë kanë qenë të dislokuar 5 mijë e 782 ushtarë, më Prizren 4172, në Gjilan 5732, në Ferizaj 3023 dhe në Gjakovë 698 ushtarë të Ushtrisë jugosllave.

Nëse numrin e përgjithshëm të ushtarëve të ish Jugosllavisë e krahasojmë tash me numrin e veteranëve të UÇK-së, atëherë çuditrisht del që më shumë kishte ushtarë të UÇK-së e që nuk është e vërtetë.

Numri i veteranëve të UÇK-së ka shkuar mbi 60 mijë, por dihet që një numër i madh i tyre nuk janë veteranë të vërtetë.

Të kujtojmë se vetëm pensionin prej 175 euro e kanë marrë deri më tash 46 mijë veteranët, 20 mijë prej tyre të rremë, dhe i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës mbi 68 milionë euro. /Ballkani.info/