Ekskluzive: Kështu mashtroi Serbia për vrasjen e të rinjve serbë në lokalin “Panda” në Pejë (DOKUMENT)

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se ka informata rreth vrasjes së gjashtë serbëve të rinj në Pejë në vitin 1998, për çka ende askush nuk është përgjigjur.

Dy burra të maskuar para 20 vjetësh më 14 dhjetor 1998 hynë në lokalin “Panda” në Pejë dhe vranë gjashtë nxënës të shkollës së mesme.

“Kam informata për këtë, por organet tona përgjegjëse duhet të kërkojnë dëshmi të sakta që ky krim i tmerrshëm të mund të zbardhet. Sa i përket Serbisë dhe mua personalisht, prindërit e nxënësve të vrarë duhet të jenë të bindur që të vërtetën nuk do ta fshehim pavarësisht se kush mori pjesë në këtë krim të rëndë e të tmerrshëm, qoftë fjala për shqiptarët qoftë për serbët, gjë e cila supozoj shumë kë do ta befasonte”, tha Vuçiq sot.

Mirëpo, cila është e vërteta e këtij krimi makabër?

Ballkani.info e ka siguruar dosjen e plotë të vrasjes së të rinjve serbë.

20 vjet më parë Serbia ishte ngritur në këmbë për një krim që kishte ndodhur në qytetin e Pejës, ku gjashtë të rinj serbë ishin vrarë në një kafene. Siç ndodhte zakonisht asokohe, shteti serb ishte munduar që fajin t’ua hidhte shqiptarëve, duke rrahur e burgosur dhjetëra pejanë për krimin që nuk e kishin kryer.

Mirëpo, në vitin 2015, 17 vjet më pas, shteti serb e pati pranuar se rasti i ashtuquajtur “Panda” ishte organizuar dhe shkaktuar nga vetë ata.

“Gjyqtari hetues i Gjykatës së Qarkut në Pejë bashkë me prokurorin publik të Qarkut kanë qëndruar në vendin e ngjarjes në prani të anëtarëve të misionit verifikues të OSBE-së, Kaufman Volfang, Gjorgjo Pikirila dhe …, me ç’rast është konstatuar si në vijim: Para kafenesë ‘Panda’ në tarracë janë gjetur 42 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm AP, të prodhimit kinez. Në brendësi të lokalit në dysheme janë gjetur katër trupa të mbuluar me gjak. Nga ana e majtë, shikuar nga dera hyrëse pas anës së pasme, shihen 17 të shtëna nga projektilët dhe 8 goditje në banak nga ana e pasme. Në dysheme afër banakut janë gjetur tri gëzhoja të kalibrit 7.62 mm AP të prodhimit kinez, kurse pas banakut 7 vrima të projektilit nga ana e dyerve të kuzhinës të cilat gjenden menjëherë afër banakut. Po ashtu, aty shihen edhe projektilë të tjerë. Sipas udhëzimit të gjyqtarit hetues, trupat janë dërguar në spitalin e Pejës…”, thuhet në raportin e siguruar nga Ballkani.info.

Pjesa tjetër e dokumentit është e dëmtuar dhe vështirë të lexohet, derisa në fund të raportit të faqes dy shkruan se sipas deklaratave të dëshmitarëve, dy terroristë me “fantomka” (maska) në kokë dhe të armatosur, me të hyrë në kafene kanë hapur zjarr në drejtim të mysafirëve, ku me pas janë larguar në drejtim të panjohur. Në kafene, sipas raportit, në ato momente qëndronin rreth 20 mysafirë.

Gjatë bisedës së mëtejshme, dëshmitari Nikola Rajeviq, thotë se i shtrirë në dysheme i ka parë dy terroristë sesi hapnin zjarr. Rajeviq njërin prej tyre e përshkruan të gjatë 185 cm, të hollë dhe të veshur me të zeza, derisa tjetrin si më të shkurtër, rreth 175 cm dhe të veshur po ashtu me të zeza. /Ballkani.info/