EKSKLUZIVE: Këshilltari i ministres Rozeta Hajdari “patrullon” nëpër ministri me revole në brez!

Me revole në brez “patrullon” nëpër Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, këshilltari politik i Rozeta Hajdarit, Kushtrim Dakaj.

Burime të Ballkani.info brenda Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë kanë treguar se këshilltari politik, Kushtrim Dakaj, gjatë gjithë kohës mban revolen në brez nëpër ministri, “duke e ekspozuar para stafit”.

Që Dakaj mban revole nuk e kanë mohuar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në një përgjigje me shkrim për Ballkani.info, nga MINT kanë thënë se Dakaj nuk ka asgjë të paligjshme.

“Krejt çka posedoj është në përputhje me ligjet në fuqi”, ka thënë Kushtrim Dakaj në përgjigje të shkurtët për Ballkani.info.

Radaksia ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjegjësisht Policia e Kosovës për lejen e armës së Kushtrim Dakajt, por nuk kemi marr përgjigje.

Ballkani ka pyetur MPB-Policinë e Kosovës se çfarë tipi të lejet për armë ka Dakaj, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.

Ligji Nr.05/L-022 e përcakton edhe mbajtjen e armës, varësisht nga leja që ka personi që posedon.

Janë disa mënyra të mbajtjes së armës, por për shkak që MPB-Policia e Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje për tipin e lejes së Dakajt, nuk dihet se a i lejohet Dakajt mbajtja e armës në brez edhe gjatë orarit të punës.
Burime brenda MINT kanë thënë se sjellja e Dakajt me armë nëpër ministri është “duke shkaktuar presion dhe frikë në mesin e stafit”.

Kushtrim Dakaj në vitin 2016 është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për shkak se akuzohej për sulm ndaj automjeteve zyrtare që vinin nga Beogradi për në Kosovë më 4 prill të vitit 2012.
Po ashtu në prill të vitit 2020, kur Dakaj ishte këshilltar politik i ministres Hajdari në Qeverinë Kurti 1, ishte prezantuar si inspektor në një lokal, e që më pas ishte intervistuar nga Policia dhe ende është nën hetim.

“Me datë 11.04.2020 rreth orës 11:48 në Rr. Fadil Hoxha –Kalabri fillimisht është raportuar se ankuesi i lindur më 28.03.1985 m/sh/k ka raportuar për një lokal të hapur në këtë lokacion. Njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë vërejtur se ankuesi është prezantuar rrejshëm ndaj qytetarëve si Inspektor i Tregut. Me urdhër të prokurorit kujdestar Ali Ajdini i njëjti është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Është iniciuar rasti dhe mbetet nën hetime”, thuhej në raportin e policisë të datës 11 prill të vitit 2020. /Ballkani.info/