Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka pasur problem shëndetësore me ç’rast është shtruar për trajtim në QKUK.

Në orët e pasditës, është thënë se sipas rezultateve të analizave, Kurtit i është shfaqur një infeksion në mushkëri.

Në anën tjetër, Ballkani.info ka komunikuar me shefin e Intenzivës në Klinikën Infektive të QKUK-së, Shemsedin Dreshaj.

Dreshaj ka thënë se Kurti është spitalizuar në mjekimin intenziv të Klinikës Infektive dhe se bëhet fjalë për ndezje të anës së djathtë të mushkërive.

“Sipas raportit të deritashëm, është përjashtuar dyshimi në Gripin A dhe është konstatuar pneunomi e shkaktuar nga Klamidia pneumonie. Pacienti për momentin është jashtë rrezikut, gjendja e tij është stabile dhe nuk priten ndërlikime të sëmundjes. Pacienti ka pasur komplet trajtimin e duhur”, ka thënë Dreshaj për Ballkani.info.

Në një prononcim për Ballkani.info, kryetari i degës së LVV-së në Prishtinë, Arben Vitia tha se gjendja e Kurtit është përmirësuar dhe se nuk ka diçka serioze.

“Pas analizave kemi kuptuar se gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe se nuk ka diçka për t’u shqetësuar. Kurtit i është paraqitur një lloj infeksioni, por nuk është ndonjë gjë serioze siç është dyshuar në fillim, andaj edhe sonte do të qëndrojë në QKUK e pastaj të shohim”, ka thënë Vitia.

Tutje, Vitia ka thënë se për gjendjen e Kurtit janë interesuar edhe figura nga skena politike, duke përmendur këtu kryeministrin Haradinaj dhe Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismailin.

“I falenderojmë të gjithë personat që janë interesuar për gjendjen e Kurtit. Çfarë mund të konfirmoj unë është vizita e Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismailit dhe me sa kam kuptuar Kurtin e ka telefonuar edhe kryeministri Haradinaj”, ka thënë Vitia për Ballkani.info.

Vitia nuk ka dashur të tregojë nëse Kurti është vizituar ose është telefonuar nga ish kolegët e partisë, tash deputetë të PSD-së. Sipas tij, nuk është moment tash të flitet për këto gjëra.

Kujtojmë se në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë ditën e sotme, kryeministri Haradinaj ka thënë se është interesuar për gjendjen shëndetësore të Kurtit dhe se shpreson që të mos jetë diçka serioze. /Ballkani.info/

Lexoni edhe: Fisnik Ismaili: Mund ta vizitojë Kurtin, por ai s’ka fije respekti kur njerëzve ju vdesin të afërmit e tyre