EKSKLUZIVE: Fituesi i Çmimit Nobel, miku i Millosheviqit, Handke, mban fanellën me mbishkrimin “Kosova është Serbi”

Shkrimtari dhe laureati i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke është shpallur person i padëshiruar (non-grata) në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar përmes një postimi në Twitter, ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Sot kam vendosur ta shpall Peter Handke si persona non-grata në Kosovë për shkak të mbështetjes që ai i dha Millosheviçit dhe politikave të tij gjenocidale në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë dhe mohimin e gjenocidit të kryer nga Serbia. Ai dhe Komiteti i Nobelit treguan mos-respekt ndaj viktimave të gjenocidit”, ka shkruar Pacolli.

Se Handke i ka miratuar krimet serbe në Kosovë dhe jo vetëm, tregon kjo fotografi ekskluzive e siguruar nga Ballkani.info.

Në fotografi, Handke mban një fanellë nacionaliste serbe “Kosova është Serbi”.

Besohet se kjo fotografi është bërë në njërën nga viztat e shumta të Handkes në fshatin Hoçë e Madhe e Rahovecit.

Ai për herë të fundit kishte qëndruar në këtë fshat më 16 shkurt të vitit 2015, një ditë para shënimit të përvjetorit të shtatë të pavarësisë së Kosovës, kishte marrë pjesë në liturgjinë e mëngjesit në kishën e Hoçës së Madhe.

Në këtë vizitë, ai nuk është dëgjuar të përdorte gjuhë kundër Kosovës, por pati fjalë të mëdha për serbët dhe Serbinë.

Handke aso kohe shoqërohej me bashkëshorten e tij, Sofian, ndërsa fliste me admirim edhe për Kishën Ortodokse serbe.

Vizitën e parë në Kosovë Handke e kishte realizuar në vitin 1996.

Ndarja e Çmimit Nobel për shkrimtarin Handke ka shkaktuar zemërim në Ballkan dhe më gjerë, për shkak se ai kishte mbështetur zëshëm ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990.

Kosova, Turqia, Kroacia, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina e anuluan pjesëmarrjen ne ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel në Stokholm të Suedisë më 10 dhjetor. /Ballkani.info/