Ekskluzive: CIA zbulon cilat ishin planet jugosllave për Shqipërinë e Enver Hoxhës (DOKUMENT)

Qeveria Jugosllave e Titos kishte planifikuar të ndikonte mbi shqiptarët e Shqipërisë, që edhe ata t’i bashkoheshin Jugosllavisë.

Ajo kishte ndërmarr edhe aksione konkrete, në bashkëpunim me disa shqiptarë, për të përhapur propagandë brenda territorit shqiptar, se “Jugosllavia kishte kontribuar në çlirimin e Shqipërisë nga regjimi fashistë dhe tani u takonte po atyre që t’i çlironin shqiptarët nga Enver Hoxha”.

Sipas një dokumenti sekret të CIA-s, të cilin e ka siguruar Ballkani.info, përmes të cilit ishte informuar qeveria amerikane për qëllimet e qeverisë së Titos ndaj Shqipërisë, tregohet sesi grupe prej prej 10-15 shqiptarësh, mirë të armatosur e me kostume tradicionale, gjatë viteve 1948-1950, futeshin në Shqipëri dhe nxirrnin nga andej grupe të tëra shqiptarësh që i besonin propagandës jugosllave për “çlirimin”.

Si rezultat i këtyre aksioneve, sipas këtij dokumenti sekret të CIA-s, në vitin 1952 në Jugosllavi jetonin pesë mijë shqiptar të ikur nga Shqipëria.

Në vitin 1950, rreth 100 emigrantë shqiptarë ishin grumulluar në Prizren dhe kishin formuar Lidhjen e Refugjatëve Shqiptar.

“Pas shumë fjalimesh, prej të cilave disa ishin mbajtur nga gjeneral Dusan Mugosa dhe kolonel Cedomir Mijovic, është zgjedhur këshilli i kryesuar nga Apostol Tenefi nga Pogradeci. Të tjerë të zgjedhur ishin zv. presidenti Nik Sokoli, Rexhep Beca, Jovan Mema, Lutfi Spahiu dhe Stathi Kostari. Ky këshill është nën kontroll të plotë të UDB-së”, thuhet në këtë dokument të CIA-s, transmeton Ballkani.info.

Sipas të dhënave, anëtarët e këtij grupi paguheshin çdo muaj për shërbimet e tyre direkt nga Qeveria Jugosllave.

Emra të cilët dokumenti i CIA-s i përmend si influencues ndër grupin shqiptar, por që kishin qëndrime antikomuniste dhe ide nacionaliste, të vetëdijshëm për qëllimet jugosllave, ishin Pal Bib Mirakaj, Kolë Cuni, Nikoll Gjonmarkaj.

Të tjerë emra të përmendur në këtë dokument janë edhe ai i Rifat Kolgjinit dhe Sali Litës, të cilët mbanin pozita në grupet e infiltruara. /Ballkani.info/