I ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovën në Maqedoninë e Veriut, rezervist i FSK-së, njëherit bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriut, me mediat atje i ka punët më mirë se me ato vendore. Kështu, ai për 14 vjetorin e pavarësisë, ka dhënë një intervistë të cilën deri më tani, për dy ditë, e kanë shikuar 18 persona.
Sadriu në këtë intervistë, ku ishte ulur çuditshëm në një kolltuk, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, e disa çështje të tjera, përcjell Demokracia.com.
Ajo çfarë është vërejtur është se në fillim, gazetarja e “TVM2” Sadriut i referohet “ekselencë” si ambasadorëve, por ai nuk e përmirëson fare. Me sa duket, Zotëriu i Parë është përshtatur mirë me punën, pas shkarkimit të Gjergj Dedajt.
Sadriu, pavarësisht reagimeve që i mori nga organizatat më të rëndësishme në Evropë nuk do të heqë dorë nga puna e tij, derisa nuk pritet një shkarkim i mundshëm as nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë pas komenteve skandaloze për gazetarët, përcjell Demokracia.com.
Pasardhsja e Vjosa Osmanit në Listën Guxo, kryediplomatja Donika Gërvalla tha se nuk e ka ndërmend të shkarkojë Sadriun.
Sipas saj, ai deklaratën ku i quajti gazetarët “ndërmarrje e përbashkët kriminale” e ka bërë në cilësinë e bashkëshortit të presidentes, e jo si diplomat.
Ndërkaq, për këtë çështje e ka mbrojtur edhe presidentja Osmani. Ditë më parë në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës Osmani tha se bashkëshorti i saj nuk i ka quajtur gazetarët “kriminelë” ani pse kjo thuhej shumë qartë në statusin e tij në Facebook, të cilin e fshiu pas kritikave të shumta që i mori.







