Ekonomistët e LDK’së e fusin Kurtin në terrenin e tyre, Kusarit i duket se Abdixhiku po ia kopjon shefin

Debati i sotëm parlamentar ishte në terrenin e Lumir Abdixhikut dhe e një pjese të LDK-së. Ai kishte përgatitur fjali që rimonin dhe fliste në gjuhën, që, sipas tij, e kuptojnë të VV-së. I quante disa prej tyre të padijshëm.  Për rrugën politike të  Kryeministrit Kurti, ai tha “zgate Zot”. Hekuran Murati ia bëri disa llogaritje Abdixhikut, ndërsa Mimoza Kusari e akuzoi se kryetarin e LDK’së se po e imitonte shefin e saj. Ky iu përgjigj me një varg të reperit Ledri Vula. Kishte edhe replika të tjera.

Në Kuvendin e Kosovës, sot kryeprotagonistë ishin ekonomistët e LDK-së dhe Kryeministri Kurti me vartës të tij qeveritarë dhe partiakë. Po flisnin për rritjen e çmimeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje.

Kryetari i LDK-së, të cilin e kishin fotografuar në një restorant gjatë seancës së kaluar për Trust, kishte ardhur i përgatitur më një fjalim si për t’iu “hakmarrë” atyre që supozonin se e kishte evituar seancën që e përkrahte opozita. Tani, ai po kërkonte që shumica ta ‘kuptonin’, kur po fliste për ekonomi.

“Inflacioni në Kosovës është 13  për qind, brenda një viti, Albin. Rekordi më i lartë historik në Kosovë. Që ta kuptojnë gjithë, ky inflacion s’vjen prej Albinit, po vjen prej luftës së Putinit. Por, çështja s’është çka bën Putini, por Albini”, tha Abdixhiku, duke i vazhduar edhe disa fjali të tjera me “Putinin”  dhe “Albinin”.

Për t’ua ‘shpjeguar’, sic tha ai, inflacionin kundërshtarëve, Abdixhiku mori shembull paratë e deklaruara nga ministrja Artane Rizvanolli në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe një deklarim të deputetit të VV-së, Mirsad Shkreta, të cilit i janë vjedhur 50 mijë euro gjatë javës së kaluar. Sipas raportimeve, Shkreta ka deklaruar në Polici se një pjesë e parave ka qenë të baxhanakut të tij.

“Dhe, që ta kuptoni ndikimin e 13 për qindëshit, të dashur kundërshtarë, politikë, në gjuhën që ju e kuptoni shumë mirë; le ta themi kështu: Me 13 për qind inflacion, ato 200 mijë euro kursime të Ministres të Zhvillimit Ekonomik, sot bëjnë 170 mijë, 50 mijë eurot e baxhanakut tash bëjnë 40 mijë euro”. 

Politikisht, tha Abdixhiku, Kryeministri Kurti po shkonte aty ku kreu i LDK-së thotë se do ta shohë kundërshtarin e tij.

“Politikisht je t’u shku ku unë dua të të shoh. Si kundërshtar politik i yti, je duke shkuar në drejtimin ku unë dua të të shoh, zgjate Zot!”.

Më vonë ai tha se në politikë, njerëzit ndan në 4 grupe. Në grupin e atyre që “e dinë se dinë” e fuste kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Në grupin e 4-të e ndarë sipas logjikës së Abdixhikut, hynte Kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Armend Muja i VV-së që “s’e di që nuk di”.

Për fjalët e kreut të LDK-së nuk u përgjigj kryeministri Kurti, por njëherë foli ministri i Financave, Hekuran Murati, e pastaj shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari. Ajo tha se prezencën e Abdixhikut e ka këruar shumica, vetëm kur është folur për tërheqjen e një përqindjeje të Trustit. Kusari tha se e donin Abdixhikun si ekonomist aty, për ta dëgjuar nëse do ta arsyetonte kërkesën e opozitës për Trustin, që, sipas saj, nuk kishte rrjedhë logjike.

“Mungesa juaj nuk është evidente. Prezenca juaj këtu, e heshtur, është evidente. Por, sot e kuptuam pse vini ju në seancë; për të dëgjuar dhe për ta imituar Kryeministrin e Kosovës, se atë tentuat ta bëtë pasuksesshëm në fillimin e fjalimit tuaj”, tha Kusari.

Më pas, Abdixhiku iu përgjigj kështu:

“Mimozë, unë e di që më shumë vrehet mungesa ime sesa prenzenca jote. Dhe, sic e di, këto fjalë lavdëruese që të duket se krejt të janë bërë si shefi, i kam dëgjuar edhe për Hashimin [Thacin], edhe për Behgjetin [Pacollin], tash po i dëgjoj për Albinin [Kurti]”, ia ktheu Abdixhiku.

Më pas e mori fjalën Muja, për të treguar se Abdixhiku përdori disa nocione që “mësoheshin në shkollën e mesme”.

Më pasë  kanë folur edhe ish-ministrja e Tregtisë, Hykmete Bajrami dhe ish-kryeministri  e ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Hoti e ka publikuar edhe rezolutën, të cilën LDK-ja kërkon ta votojë LVV-ja.

““1.Të reduktohet akciza dhe norma e TVSH-së për derivate, për tre (3) muaj, me mundësi vazhdimi të masës edhe për tre (3) muaj tjerë, varësisht nga zhvillimiet në tregjet ndërkombëtare. 2. Të zgjerohet lista e produkteve të domosdoshme me normë të reduktuar të TVSH-së për tre (3) muaj, me mundësi vazhdimi të masës edhe për tre (3) muaj tjerë, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në rezolutën e LDK-së”.

Debati i sotëm është thirrur nga LDK-ja, e cila kërkon nga Qeveria që të hiqet TVSH-ja dhe kundërshton idenë e pushtetit se duhet të caktohet marzha e fitmit për produktet bazë.