Ekipi i boksit të Kosovës priti dy orë në kufi, pastaj policia serbe u tha se nuk mund të hynë në Serbi

Ekipi i boksit të Kosovës sot ka tentuar për herë të tretë që të hyjë në Serbi për të shkuar në Beograd, ku po zhvillohet kampionati amator i boksit.

Megjithëatë, pas 3 tentimeve dje dhe sot, ekipi i boksit të Kosovës nuk ka arritur të kaloj kufirin me Serbinë, pasi policia serbe nuk po i lejon, shkruan Reporteri.net.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka dënuar ashpër veprimin e Serbisë për mos lejimin e sportistëve kosovarë që të hynë në Serbi.

“Ekipi tentoi të kalojë kufirin në Merdarë, por pas dy orë pritje në kufi dhe kontrollimi të detajshëm të makinës dhe veshjeve, policia serbe mori urdhërin nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen në Serbi. Ekipi i boksit u nis për herë të tretë drejt Serbisë, këtë herë pas insistimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe AIBA-s, me të cilët drejtuesit e KOK-it, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e KOK-ut.

Komunikata e plotë:

Ekipi i boksit të Kosovës nuk u lejua as sot të hyjë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që sonte nis në Beograd.

Ekipi tentoi të kalojë kufirin në Merdarë, por pas dy orë pritje në kufi dhe kontrollimi të detajshëm të makinës dhe veshjeve, policia serbe mori urdhërin nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen në Serbi.

Ekipi i boksit u nis për herë të tretë drejt Serbisë, këtë herë pas insistimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe AIBA-s, me të cilët drejtuesit e KOK-it, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm.

KOK dënon ashpër veprimin e Qeverisë së Serbisë, derisa do të kërkojë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe organet tjera përkatëse të marrin masa ndaj Serbisë.