LAJMI I FUNDIT

Ejupi largohet nga posti i presidentit të FC Prishtinës, flet rreth zgjedhjeve në FFK dhe kandidaturës së mundshme të tij

Pas 18 viteve, Remzi Ejupi ka vendosur që të mos vazhdojë më si president i Prishtinës.

Ai këtë e konfirmoi vetë, teksa njoftoi se së shpejti do të mbahet kuvendi zgjedhor i klubit dhe ai nuk do të jetë kandidat.

“Unë nuk do të jem kandidat në kuvendin zgjedhor të ardhshëm. Do të vazhdoj t’i qëndroj afër klubit të Prishtinës”, u shpreh ai për Express.

I pyetur nëse ekziston mundësia për të garuar për të parin e Federatës së Futbollit të Kosovës ai tha se është i gatshëm ta ndihmojë Federatën, qoftë edhe si president.

“Nëse klubet dhe komuniteti i futbollit më kërkojnë që unë të jem aty, pse jo. Unë jam i gatshëm për t’i ndihmuar FFK-së për të mirën e futbollit”, tha Ejupi.

Tutje, ai dha një ide në lidhje me kuvendin zgjedhor të FFK-së, teksa tha se klubet duhet të mbajnë një lloj kuvendi, para atij zgjedhor të FFK-së.

“Para kuvendit për kryetar të FFK-sq, klubet duhet të jenë shumë syçelë sepse në pyetje është e ardhmja e tyre dhe mos t’i marrin gjërat shumë thjesht, pa i menduar mirë. Une mendoj që para kvendit të FFK-së është mirë që të gjitha klubet të mblidhen dhe ta mbajnë njëfarë lloj kuvendi përmes të cilit duhet të vendosin kritere për kandidatët që duan të kandidojnë për president të FFK-së”, deklaroi ai.

Ejupi bëri apel te klubet që të jenë syçelë për të mirën e futbollit.

“E kam fjalën për kritere të mira, të pastërta që japin shpresë përe një të ardhme të mirë të futbollit. Pastaj edhe nga ai kuvend mund të dalin kandidatë potencial. Gjithkush ka të drejt të kandidojë, por duke i respektuar disa kritere bazike, apo të paktën disa kritere elementare dhe aty klubet të vendosin për kandidatin e tyre e pas kësaj të mbahet kuvendi në FFK dhe të zgjidhet kryetari i ri. Ky është shansi i futbollit të Kosovës dhe nëse nuk e shfrytëzojmë do të bëjmë hapa prapa, pandaj bëj apel që të jemi të gjithë sycele për të mirën e futbollit”, përfundoi Ejupi.