Efekti Haxhi Shala / Vazhdojnë largimet nga Nisma dhe aderimet në AAK

Pas largimit të deputetit Haxhi Shala nga Nisma Socialdemokrate dhe aderimit të tij në AAK-në e Ramush Haradinajt, largimet nga partia e Fatmir Limajt po vazhdojnë.

Dje dhe sot ka shumë emra që po largohen nga Nisma dhe po aderojnë në AAK.

I fundit që e ka bërë këtë është asambleisti i Malishevës, Luan Kryeziu, shkruan Ballkani.info.

“Rrugëtimin tim politik do ta vazhdoj së bashku më njeriun e fjalës, z.Haxhi Shala, i cili çdoherë ishte zëri im si në Kuvendin e Kosovës, ashtu edhe në organet e partisë. Që nga tash, aktivitetin tim politik do ta vazhdoj në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo e cila na ka dhënë hapësirë të gjerë të veprimit për t’i jetësuar idealet tona politike për të mirën e qytetarëve të Malishevës dhe të gjithë Kosovës”, ka shkruar Kryeziu.

Postimi i plotë:

Të dashur miq, shokë, familjarë dhe ju aktivistë shumë të respektuar,

Ju njoftoj se sot paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga të gjitha funksionet politike në subjektin politik Nisma Socialdemokrate.

Besimin tuaj do ta ruaj dhe do të vazhdoj fuqishëm të jem zëri juaj në Kuvendin Komunal të Malishevës.

Vendimi im për të dhënë dorëheqje nga funksionet e Nismës Socialdemokrate nuk ishte i rastësishëm, por i menduar mirë dhe pas një kohë të gjatë, përkatësisht, që kur kjo parti nisi të mos e respektojë anëtarësinë e saj dhe kontributdhënësit e saj të vërtetë.

Rrugëtimi im politik në këtë subjekt nisi që nga themelimi i saj në vitin 2013. Gjatë kësaj kohe, me të gjithë potencialin tim njerëzor, intelektual e politik, në bashkëpunim të ngushtë e të sinqertë me shumë bashkëpunëtorë u munduam që ta ndërtojmë një strukturë sa më të fuqishme politike, mirëpo ishte e pamundur pasiqë tani ky subjekt e ka humbur drejtimin për në rrugën që u patëm zotuar që të shkojmë.

Rrugëtimin tim politik do ta vazhdoj së bashku më njeriun e fjalës, z.Haxhi Shala, i cili çdoherë ishte zëri im si në Kuvendin e Kosovës, ashtu edhe në organet e partisë. Që nga tash, aktivitetin tim politik do ta vazhdoj në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo e cila na ka dhënë hapësirë të gjerë të veprimit për t’i jetësuar idealet tona politike për të mirën e qytetarëve të Malishevës dhe të gjithë Kosovës.

Do të vazhdoj të mbetem zëri juaj besnik!

Na priftë e mbara bashkë!

Me respekt,

Luan Kryeziu