Edita Tahiri: Kurti nuk i tregoi popullit çfarë u diskutua në Bruksel

Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se situata e krizës në veri ka mundur të evitohet, ndonëse sipas saj, çdo herë kur që u shihet fundi negociatave, zhvillohen situata të ngjashme.

Duke folur në emisionin Pressing, Tahiri ka thënë kryeministri Albin Kurti është dashur të shprehet pozitiv pro planit franko-gjerman dhe i prerë kundër Asociacionit.

”Kurti ka mundur t’i thotë BE-së, po ne parimisht kemi një qasje pozitive ndaj franko-gjerman, hiqe punën e asociacionit. Po t’i bënte Kurti të qarta këto me kohë, nuk do të vinte situata ku jemi sot”, ka deklaruar ajo në T7.

Tahiri ka thënë se Kurti nuk është treguar transparent, duke mos i informuar qytetarët për ato që janë diskutuar në Bruskel.

“Po më vjen keq, por Kurti kurrë nuk ka treguar publikisht, as neve, popullit, s’na ka treguar çfarë po flet në Bruksel”, ka vazhduar ajo.

Tahiri ka thënë se Kurti është dashur të merret vesh me BE-në në tavolinë, një mundësi që sipas saj, nuk është shfrytëzuar nga kryeministri.

“Prandaj, këtu u dashtë me e pre. Pse? Sepse VV dhe Kurti kanë ardhë në pushtet, kanë marrë të gjitha ato vota, vetëm pse janë ngritur kundër asociacionit. Është dashur t’i thuhet BE-së në tavolinë, jo rrugëve, se kjo është vijë e kuqe, prandaj të dalim diku, ku mund të gjendet vijë e përbashkët”, ka deklaruar ajo.

Tani kur situata është e tensionuar, sipas Tahirit, zgjidhja duhet të gjendet në tavolinë nëpërmjet marrëveshjeve politike në dialogun e Brukselit.