Edi Rama shkarkon ministrin e Brendshëm, e zëvendëson Taulant Balla

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkarkuar Bledi Çuçin nga posti i ministrit të Brendshëm.

Rama ka bërë të ditur lajmin në Twitter. Ai ka njoftuar se në vend të Çuçit, ministër i Brendshëm do të jetë Taulant Balla.

“Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falënderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese në çdo drejtim”, ka shkruar Rama.

Shkarkimi i Çuçit vjen pas ngjarjes në Fushë-Krujë, ku familjarët e ish-deputetit Rrahman Rraja rrahën brutalisht dy persona të cilët denoncuan prishjen e shtëpive të tyre nga shpërthimet në një gurore të familjes Rraja.