Edi Rama refuzon ofertën e Rusisë për vaksina: Ky është një provokim qesharak

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka quajtur provokim të papërshtatshëm ofertën e Rusisë për ta sjell vaksinën “Sputnik V” në Shqipëri.

Në konferencën e fundvitit, Rama tha se është krejtësisht e papërshtatshme që të bëjë provokime të tilla qesharake.

“Ajo që pashë që Ambasada e Rusisë kishte postuar nga Twitteri i drejtorit të komunikimi një retweet të shefes së Komisionit Evropian. Mendova se ishte një meme. Sepse për një shtet serioz është krejtësisht e papërshtatshme që të bëjë provokime të tilla. Kur them provokim nuk i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është një provokim qesharak. Dhe nuk është mirë që një shtet si Rusia të bëhet qesharake nëpërmjet këtyre shkrimeve. Që ambasada e një shteti serioz të sillet sikur është një seksion i Portokallisë apo konkurrent i Portokallisë. Shpreh keqardhjen për këtë. Postimi i Ambasadës ruse nga ana ime konsiderohet i papërshtatshëm. Ndjesë e Ambasadës ruse, qoftë dhe për keqkuptimin, do të ishte i mirëpritur”, tha Rama.

Ai më tej sqaroi se si Qeveria shqiptare është e fokusuar te vaksinat e Pfizer, Astra-Zeneca dhe Moderna.

“Ne jemi të fokusuar te vaksinat e Pfizer, Astra-Zeneca dhe Moderna. Shtetet me te cilat ne komunikojmë në BE janë drejtuar në këto kompani. Nuk kemi asnjë arsye të shprehim rezerva apo të paragjykojmë vaksinën ruse apo kineze, por për momentin ne jemi të fokusuar në këto drejtime. Nëse do të lind nevoja dhe do ta shohim të arsyeshme, patjetër që do të shohim dhe alternativa të tjera”, theksoi ai.