Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ceremoninë e fillimit të punës së Doganës së Kosovës në portin e Durrësit, ka thënë se këto janë vetëm hapat e parë i bashkimit të plotë të doganës.
“Dogana e Kosovës në Shqipëri është hapi i parë i bashkimit të plotë të doganës. Ky veprim do të ndikojë pozitivisht në transportin e mallrave pasi që shpejton lëvizjen e mallrave”, ka thënë Rama, raporton Ballkani.info.
Tutje, Rama ka thënë se të gjitha këto marrëveshje kanë filluar nga takimi i dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, që ishte mbajtur në Pejë disa muaj më parë.
“Mbledhjen e dy qeverive të mbajtur disa muaj më parë, e kanë përqeshur disa persona si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, por këta persona tashmë po shohin rezultatin e marrëveshjeve historike që kanë nisur nga ky takim”, ka thënë Rama.
Rama ka thënë se tashmë ka nisur edhe zbatimi i draftit teknik për integrim kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë duke u bazuar në sistemin Schengen.
Gjithashtu, Rama ka adresuar kritikat e tij edhe ndaj personave që kanë spekuluar rreth krijimit të ‘Shqipërisë së Madhe’, duke thënë se kjo është një sajesë nga armiqtë e Shqiptarëve.
“Kushdo që ka thënë se integrimi i kufijve, është projekti i ‘Shqipërisë së Madhe’, ta dijë se kjo është vetëm sajesë e armiqve të shqiptarëve, pasi që nuk ka ‘Shqipëri të Madhe’, ka vetëm komb shqiptar”, ka thënë tutje Rama, raporton Ballkani.info.
Në përfundim të fjalimit, Rama ka shfrytëzuar rastin që ta falenderojë zëvendës kryeministrin e Kosovës, Fatmir Limajn dhe ministrin e Financave të Kosovës, Bedri Hamzën. /Ballkani.info







