Kyle Scott

Edhe Vuçiq i kundërvihet ashpër ambasadorit amerikan i cili tha të vërtetën se Kosova është shtet

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq në një konferencë për media, ka kritikuar mënyrën e të shprehurit të ambasadorit amerikan në Serbi, Kyle Scott, i cili iu referua Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Ambasadori amerikan Scott, ditë më parë, i pyetur nga një gazetar serb rreth të “ashtuquajturës qeveri e Kosovës”, tha se nuk mund t’i referohet si e “ashtuquajtur” por do t’i drejtohet si një shteti të pavarur dhe sovran.

Këto deklarata, irrituan shumë figura politike në Serbi, si Vulin dhe së fundmi presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Vuçiq në konferencën për media, i pyetur nga gazetarët se si i komenton deklaratat e ambasadorit amerikan në Serbi, u shpreh i habitur.

“Ambasadori amerikan mund ta konsiderojë shtet të pavarur dhe sovran Kosovën, për ne ajo është e ‘ashtuquajtura qeveri e Kosovës’. Nëse Kosova është shtet sovran, atëherë pse perëndimi po hargjon kohë të bëjë dialog me Serbinë?!”, tha Vuçiq, transmeton Ballkani.info.

Vuçiq u shpreh kritik ndaj deklaratave, siç tha ai, ‘të pakujdesshme’ të ambasadorit amerikan dhe shtoi se po të ishte prezent do të kishte reaguar.

“Reprezentuesit e qeverisë që ishin prezent në konferencë, kanë bërë gabim që nuk kanë reaguar. Po të isha prezent, përderisa ambasadori amerikan do të fliste rreth kësaj teme ashtu siç ai e sheh në interesin e SHBA, atëherë edhe unë do të reagoja po në të njëjtën mënyrë, veçse në interesin e shtetit Serb”, shtoi më tutje Vuçiq.

Kujtojmë se deklaratat e ambasadorit amerikan në Serbi kishin ngjallur reagime të ndryshme, ndërsa kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, nuk kishte dashur t’i komentojë këto deklarata.