Edhe pse u dënuan për korrupsion, Ministria e Kulturës nuk ndërmerr asnjë masë disiplinore ndaj tre zyrtarëve

Përderisa Gjykata Themelore në Prishtinë i dënon zyrtarët për keqpërdorim dhe përfitim të fondeve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ndërmerrë kurrfarë mase disiplinore ndaj tyre dhe as nuk kërkon kthimin e fondeve të përfituara kundërligjshëm.

Bëhet fjalë për restauruesin në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Agim Gërguri, arkitektin Gani Gashi, dhe në anën tjetër zyrtarin e MKRS-së Fatlum Grajqevci.

Në dy raste të veçanta tanimë të njohura për publikun, zyrtarët u dënuan me burgim prej gjashtë muajve, dënim ky i shndërruar në gjobë (tremijë e gjashtëqind dhe tremijë euro gjobë).

Burime brenda Ministrisë së Kulturës, për Ballkani.info kanë bërë të ditur që MKRS-në asnjëherë nuk e ka ftuar gjykata në cilësin e palës së dëmtuar.

“Në asnjërin rast pala e dëmtuar, pra, MKRS nuk ishte thirrur në gjykatë si palë e dëmtuar dhe asnjëherë gjykata nuk i ka obliguar keqpërdoruesit që t’i kthejnë fondet apo të kompensojnë dëmin që ia kanë shkaktuar MKRS-së”, thonë këto burime.

Vlera e keqpërdorimit në rastin e parë ishte mbi 560 mijë euro, ndërsa në rastin e dytë ishte mbi 6 mijë euro.

I njëjti burim, për Ballkani.info ka thënë që MKRS nuk ka marrë ndonjë masë ndaj keqpërdoruesve.

“MKRS, asnjëherë nuk ka ndërmarrë asnjë veprim me të cilin do të shqiptonte masa disiplinore për keqpërdoruesit, por të njëjtit vazhdojnë punën në detyrat e mëparshme ku edhe mund të keqpërdorin detyrën e tyre dhe të përfitojnë jashtëligjshëm, ku dihet se tashmë janë shkelës të ligjit dhe përfitues nga pozitat që i kanë”, thekson tutje burimi.

Pyetja më logjike në këtë rast është: Sa u dëmtua buxheti i MKRS-së dhe pse MKRS nuk kërkojë asnjëherë që ky buxhet t’i kthehet?

Ballkani.info ka provuar të kontaktojë me Zyren për Informim të MKRS-së, por nuk kanë pranuar të flasin për çështjen në fjalë, përveçse kanë sugjeruar që të kontaktojmë këshilltarin e ministrit, Samir Hoxha, mirëpo edhe ky duke mos dashur të komentojë, zgjodhi të na drejtojë tek personeli. Dhe, në komunikimin që arriti Ballkani.info me personelin, përveçse këta të fundit shprehen habi që na kishin drejtuar tek ata, s’kishte si të ndodhte ndryshe veçse të na drejtonin tek adresa tjera, e në këtë rast te drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore, Vjollcë Aliu, e cila përmes telefonit tha që për këtë çështje nuk është kompetente të flasë.

Tash mbetet të shihet se si do të reagojnë departementet gjegjëse, të cilat do të duhej të ndërmarrin procedurat e nevojshme për kthimin e buxhetit të dëmtuar apo inicimin e procedurave disiplinore ndaj këtyre shkelësve të ligjit.

Tek fundja, ministria në fjalë është e obliguar të ndërrmarrë masa disiplinore për secilin zyrtar. /Ballkani.info/