Edhe presidentët (Macron) lodhen?

I lodhur, mbase edhe i rraskapitur, 16 muaj pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale, Emmanuel Macron, mesa duket i pafuqishëm, vendosi të pushojë për disa ditë, thekson shtypi francez.

Papritur, pallati Elysee njoftoi se presidenti i dyzetë i Francës, të cilit sapo kanë filluar t’i dalin thinjat e para, do të marrë sot katër ditë pushim për t’u çlodhur me bashkëshorten e tij, Brigitte.

Marine Le Pen nuk e humbi mundësinë dhe ironikisht filloi goditjen.

“Merkel del në pension. Macron çlodhet. Juncker përgatit koktejlin e lamtumirës. Dhe ne, ne jemi të gatshëm!!” paralajmëroi në Twitter liderja e Asamblesë Kombëtare duke iu referuar zgjedhjeve europiane të 2019, një mundësi historike për partinë e tij për të marrë hak për humbjen e vitit 2017.

Ashtu si Barack Obama apo Nicolas Sarkozy, Macron ka ndjerë gjithashtu shenjat e para të dështimit.

Jo vetëm në sondazhe, me një indeks të popullaritetit të zhytur nën pragun prej 30%, por edhe nga pikëpamja psikofizike.

Ritmi i ethshëm që ka vendosur që nga hyrja në Elysee nuk po e ndihmon. Që atëherë, i ashtuquajturi ”presidenti Jupiter” ka realizuar mbi 170 vizita në Francë dhe 66 jashtë vendit.

”Ritme çnjerëzore”, thonë bashkëpunëtorët e tij, duke kujtuar ndër të tjera, zakonin stakanovist (njeri që punon përtej limiteve – shën. i përkth.) të presidentit, i cili u dërgon mesazhe ministrave edhe gjatë natës.

Por, tani është e mjaftueshme. Të paktën për disa ditë dhe ai do të ”marrë frymë” sërish.

“Asnjë emërim, asnjë ngjarje, asnjë veprim për katër ditë. Një gjë e paparë që kur ai u zgjodh”, thotë ”Le Figaro”, një nga shumë gazetat që i kushtojnë hapësirë këtij pit stop-i presidencial.