Ditën e sotme, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri e ka bërë një ftesë të pazakontë për Kuvendin Komunal të Mitrovicës.

Ai për nesër ka ftuar mbledhje urgjente të Kuvendit Komunal me të vetmen pikë të rendit të ditës, “Ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunës-Bashkimin e Mitrovicës”.

Kryetari Bahtiri, ka deklaruar edhe ditën e djeshme se do të dëshironte të ishte Kryetar i Mitrovicës së Bashkuar.

Ballkani.info ka raportuar edhe sot për mundësinë e realizimit të idesë së kryetarit Bahtiri, e cila si duket do të mbetet vetëm një tjetër ‘lojë’.

Burime të Ballkani.info brenda Qeverisë, kanë thënë se Bahtiri nuk mund të bëjë ndërrimin e kufirit administrativ, pasi ai është i përcaktuar me Kushtetutë dhe për ndryshimin e Kushtetutës duhen 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“As Agim Bahtiri, e as askush tjetër nuk mund të bëjë ndryshime të Ligjit për Përcaktimin e Kufijve Administrativ të Komunave. Këtë mund ta bëjë vetëm Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave. Po ashtu ndryshimet e kufijve të Komunave interferojnë edhe në Kushtetutë sepse ajo është e bazuar në planin e Ahtisarit”, kanë thënë burime nga Qeveria.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Kryetari i Komunës së Mitrovicës ofron ide të tilla, herën e fundit ishte ideja e “Koncertit të Shakirës” e cila gjithashtu shtoi kurreshtjen e qytetarëve, por që nuk u përmend më. /Ballkani.info/