Suharekë

Edhe nga dy muaj paraburgim për katër të dyshuarit për grabitjen e argjendarisë në Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj katër të dyshuarve për grabitjen në Suharekë, Bujar Basha, Besart Istrefi, Leutrim Cakolli dhe Trim Baraku. Ndërsa, për të dyshuarit Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri nuk ka pasur kërkesë për vazhdim apo ndryshim mase, andaj janë liruar në procedurë të rregullt.

Lajmin e ka konfirmuar ​​​​​​​​​Marcel Lekaj, udhëheqës i zyrës për informim dhe komunikim me media në këtë Gjykatë.

Katër të dyshuarve Basha, Istrefi, Cakolli dhe Baraku, masa e paraburgimit iu vazhdua deri më 30 prill 2024.

“Ju njoftojmë si në vijim: Të pandehurve: Bujar Basha, Besart Istrefi, Leutrim Cakolli të dyshuar për veprën penale Grabitja, dhe Trim Baraku i dyshuar për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, me datë 28.02.2024, Gjyqtarja e procedurës paraprake ka marrë AKTVENDIM dhe ka vazhduar masën e paraburgimit deri më datë 30.04.2024. Pas vlerësimit të kërkesës së Prokurorit të Shtetit për vazhdimin e paraburgimit, dhe pas vlerësimit të shkresave të lëndës, Gjyqtarja e procedurës paraprake ka gjetur se kërkesa e Prokurorit të Shtetit për vazhdimin e paraburgimit së masës së paraburgimit është e bazuar”, thuhet në përgjigjen e Lekajt.

Aty thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se me lënien në liri të të pandehurve të cilëve iu vazhdua paraburgimit, ekziston rreziku i arratisjes, sepse edhe pas kohës kur dyshohet se është kryer vepra penale të njëjtit kanë qenë në arrati deri në ditën e arrestimit përmes Policisë së Kosovës.

“Gjithashtu duke marrë parasysh se hetimet janë në zhvillim e sipër, ashtu që në pyetje do të merren dëshmitarët që ende nuk janë dëgjuar, dhe do të mblidhen edhe prova të tjera me qëllim të zbardhjes së rastit, nëse të pandehurit lihen në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë, me çka do të pengojnë fazën hetimore. Gjithashtu me rastin e vazhdimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin se të pandehurit edhe në të kaluarën janë të evidentuar si kryerës të veprave penale të ngjashme me aktgjykime të plotfuqishme, andaj me lënien në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale të ngjashme andaj është vlerësimi i Gjykatës se vazhdim i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm”, thuhet më tej në përgjigje.

Kurse, për të dyshuarit Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake nuk ka pranuar kërkesë për vazhdim apo zëvendësim të masës.

“Kurse për të pandehurit Albin Beqiri, dhe Fatmir Tahiri të dyshuar për veprën penale: dhënia e ndihmës gjatë kryerjes së veprës penale të grabitjes nga neni 317 par. 4 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 33 të KP-së, sipas vendimit të Gjyqtares së procedures paraprake të datës 22.12.2023, dy (2) të dyshuarve iu ishte vazhduar paraburgimit deri me datë 25.02.2024, kurse deri në skadimin e datës së vazhdimit të paraburgimit, Gjyqtarja e procedures paraprake nuk ka pranuar kërkesë për vazhdim apo zëvendësim të masës që nënkupton që të njëjti janë liruar në procedurë të rregullt pas kësaj date, derisa ende vazhdon procedura paraprake/hetimore”, thuhet në përgjigjen e Lekajt.

Ditën kur ndodhi grabitja, u njoftua se një polic u plagos dhe një tjetër mori lëndime.

Shuma e arit të grabitur konsiderohet të jetë 250 mijë euro, grabitje kjo që ndodhi pasditen e së 22 nëntorit 2023 në një argjendari në Suharekë./Betimipërdrejësi

VIDEO BONUS: Deputetët s’kanë mandat me i cenu trupat tanë, protestë kundër deputetëve që e kundërshtuan Ligjin