Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia ka njoftuar se edhe katër raste kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, duke çuar në nëntë numrin total.
Rasti i ri është paraqitur në Podujevë dhe kjo komunë ka gjasa të hyjë në karantinë sikur Malisheva, Vitia dhe Klina.
Postimi i Vitisë:
Të nderuar qytetarë,
Para pak minutash bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste reja pozitive me virusin SARS-CoV-2 (coronavirus).
Tri raste nga Komuna e Malishevës, që të tre persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë 14.03.2020 dhe rasti i katërt është personi nga Komuna e Podujevës. Përfshirë edhe rastet e mëhershme, tani më në Kosovë kemi të konfirmuara 9 raste pozitive me COVID-19.
Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik.







