Edhe Hoxhaj i reagon Kusari-Lilës: Sot fole palidhje, që se njeh këtë temë nxjerre dikë tjetër të flasë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka reaguar kryetares së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila, pasi kjo e fundit kundërshtoi kritikat e opozitës për zhvillimin e dialogut nga Qeveria Kurti.

Hoxhaj ka kërkuar nga Kusari-Lila që ta nxjerr dikë tjetër nga VV-ja të flasë për këtë temë, në rast se ajo nuk ka njohuri.

“Me vëmendje e dëgjova zonjën Mimoza Kusari-Lila, për të cilën si kolege kam shumë respekt, por foli palidhje s’tha kurrgjë. Si kryetare e shumicës me 59 deputetë, unë pre s që të dalë dhe të thotë diçka konkrete se çfarë mendon kjo shumicë. Mimozë nëse nuk e njeh këtë temë, nxjerre dikë nga Grupi parlamentar sepse e udhëhiqni Kuvendin”, ka thënë ai.

Më tutje ai tha se kjo qeveri ka krijuar iluzionin që bota e pret Kosovën.

“Ju e keni krijuar iluzionin se bota na pret dhe keni pasur një qasje në raport me dialogun ku parimet i keni pasur të shkruara në zall dhe një politikë që është ndërtuar me zall dhe që sot mjerisht po shembet kjo qasje e juaj. Pres nga kryeministri nëse mundet me ardh ose nga z.Bislmi që të dalë dhe të na tregojë çfarë do të ndërmarrë me situatën e re në dialogun Kosovë-Serbi. Si do të sillen dhe jo përralla”, tha ai.