Britania e Madhe e ka ndjekur shembullin e disa shteteve tjera duke e ndaluar qarkullimin e të gjithë aeroplanëve të tipit “Boeing 737 Max” mbi hapësirën e saj ajrore për shkak të dy aksidenteve ajrore me aeroplanë të këtij modeli, ku mbetën të vdekur më shumë se 340 persona.
Një zëdhënës i autoriteteve të aviacionit civil të Britanisë së Madhe tha: “Nuk kemi informata të mjaftueshme nga kutia e zezë e aeroplanit, prandaj kemi vendosur që ta ndalojmë qarkullimin e këtyre aeroplanëve të udhëtarëve nëpër hapësirën ajrore të Britanisë së Madhe”.
Sipas të dhënave zyrtare, në Britani të Madhe janë të regjistruar dhe operojnë pesë aeroplanë të tipit “Boeing 737 Max”. Një aeroplan tjetër i këtij modeli pritej t’i fillonte fluturimet gjatë kësaj jave.
Përpos Britanisë së Madhe, edhe Australia dhe Singapori kanë marrë vendim të martën që të anulohen të gjitha fluturimet që janë paraparë të kryhen me aeroplanët e këtij modeli, shkruan “The Guardian”.







