Lubjanë

Edhe Apeli në Slloveni hedh poshtë padinë e Martin Berishajt kundër gazetarit slloven: Nuk janë dokumentuar shpifje

Pas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Lubjanë për të rrezuar padinë e Martin Berishajt kundër gazetarit Vitomir Petroviç si të pabazuar, ambasadori i Kosovës në Kroaci e kishte apeluar vendimin, por edhe Gjykata e Lartë Sllovene ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë duke e hedhur poshtë si të pabazuar ankesën e Berishajt.

Vendimi për hedhjen poshtë të ankesës së Berishajt, siç raporton Albanian Post, është marrë me 7 korrik 2023.

Në përgjigjen e gjykatës sqarohet se pas vendimit nga trupi gjykues për të rrëzuar padinë private të Berishajt, tashmë është vendosur që edhe ankesa e tij të hidhet poshtë.

Vendimi i shkallës së parë të Gjykatës së Qarkut thoshte se lënda ka “përfunduar pa efekt juridik”, meqë Berishaj nuk ka arritur të dokumentojë shpifjet e pretenduara në tekstin ku për Berishajn tregohej – për herë të parë – se ka funksionin e mushkës në një ndërmarrje kriminale për shpërlarjen e parave.

“Në lidhje me pyetjen që ju i keni drejtuar Gjykatës së Qarkut në Lubjanë, lënda II K 45570/2022, përgjigja jonë është, në përputhje me Rregulloren e Gjykatës, se më 17. 11. 2022, Trupi gjykues ka nxjerrë aktvendim me të cilin rrëzohet padia private. Pasi u zhvillua një procedurë ankimimi/apeli, Gjykata e Lartë në Lubjanë e hodhi poshtë ankesën si të pabazuar në seancën e saj të datës 7.7.2023 dhe konfirmoi vendimin e trupit gjykues jashtë dëgjimit dhe vendimin e gjykatës së shkallës së parë”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit për media i Gjykatës së Qarkut në Lubjanë, Mateja Jazbec.