Tre të lënduar rëndë në aksidentin e Gjilanit janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ndërsa gjendja e tyre është stabile.

Kështu ka thënë doktor Naser Syla shef i ndërrimit në Qendrën Emergjente, i cili bëri me dije që ndodhë mund të sillet në QKUK edhe rasti i katërt nga spitali i Gjilanit.

Mësohet se nga aksidenti në qendër të Gjilanit një person ka vdekur kurse 23 janë të lënduar.

“Rreth orës 16:30 kemi pranuar tri raste nga spitali i Gjilanit të lënduar në aksident komunikacioni , mosha e tyre është moshë mesatare prej 40 deri në moshën 70 vjeçare. Ka prezantim të rënda trupore, por gjendja e tyre për momentin është stabile. I kemi kryer të gjitha ekzaminimet e duhura që kanë qenë të nevojshme për këta pacientë, ndërsa tash do t’i dërgojmë nëpër klinikat adekuate për trajtimin e mëtutjeshëm. Lëndimet janë më tepër në kokë, mirëpo mund të themi se janë lëndime të rënda, edhe pse gjendja e tyre është stabile”, tha Syla. Të lënduarit në trajtim aktualisht në QKUK janë: Lumnie Sahiti(1972) nga Malisheva, Naser Nuhiu(1967) nga Vitia dhe Fatime Islami (1936) nga Gjilani.