Gjatë seancës së sotme deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla ka thënë se në treg ka produkte me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, të cilat janë prodhuar pas datës kur taksa 100% u vendos nga Qeveria e Kosovës.

“Edhe pse prej 21 nëntorit në fuqi është taksa ndaj Serbisë ende në tregun e Kosovës ka tepër shumë produkte me këtë origjinë, nga doganat raportohet për ulje drastike të importit të Serbisë por nuk ka rritje të ndjeshme të importeve nga ndonjë vend tjetër. Pyetja ime është çfarë masash konkrete janë marrë kundër kontrabandës së produkteve të Serbisë, sa raste i keni raportuar për kontrabandë gjatë dhjetorit 2018”, ka thënë Sveçla, raporton KosovaPress.

Ministri i Financave, Bedri Hamza u përgjigj se Dogana ka ndërmarrë të gjitha masat për zbatimin e vendimit për taksën. Hamza po ashtu tha se nuk mund të deklarohet se kontrabanda është ndërprerë 100 për qind për shkak të gjendjen në veri.

Sveçla pyeti tutje a do të ishte dështim katastrofal që duhet të paguajë politika, nëse kjo masë nuk sjell përfitime ekonomike. Kujtojmë se ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që taksa të hiqet, por një gjë të tillë po e kundërshton kryeministri Ramush Haradinaj i cili ka përsëritur disa herë se taksa mund të pezullohet kur ndodh njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia.