Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë padi ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se përmes kësaj padie kanë kërkuar pezullimin e vendimit, pasi siç konsideron ai është vendim që nuk bazohet në ligj.”Këtë aktpadi po e bëjmë nga fakti që konsiderojmë se vendimi i tij nuk është bazuar në asnjë ligj dhe as në ligjin e grevave.

SBASHK-u me dokumentin që e dorëzoi ka kërkuar nga gjykata gjegjëse fillimisht të pezullojë vendimin e ministrit Bytyqi e më pastaj të marr vendim meritor në bazë të argumenteve që ne i shtruam dhe në bazë të ligjeve të grevave… Konsiderojmë që kemi të drejtë duke u bazuar në ligjin për greva i cili nuk obligon askënd të që me rastin e grevave të kompensojë orët e humbura “, ka thënë Jasharaj.

Ai po ashtu ka apeluar tek Drejtoritë komunale të Arsimit të mos e zbatojnë këtë vendim të MASHT-it, derisa drejtësia të jap verdiktin meritor. Jasharaj thotë se nuk kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit Bytyqi, por kërkojnë bashkëpunim më të mirë për kompensimin e orëve të humbura për shkak të grevës.