Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar raportin e parë tremujor të buxhetit për vitin 2019, ku është bërë e ditur se pranimet në buxhet në këtë periudhë janë 464,79 milionë euro, ndërkaq shpenzimet janë 401,02 milionë euro.
Po ashtu, Qeveria në këtë mbledhje ka ndarë 1 milion euro për komunën e Rahovecit për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri dhe vërshimet në vitin 2018. Qeveria ka ndarë edhe 390 mijë euro për shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së.

Ministri i Financave Bedri Hamza, derisa ka prezantuar raportin tremujor të buxhetit, ka thënë se trendi i të hyrave është pozitiv në dy institucione që janë përgjegjëset kryesore për administrimin dhe grumbullimin e të hyrave në Doganë dhe në ATK, ku tha se ka një rritje prej 10 përqind dhe se ka një përforcim të pozitës së likuiditetit të shtetit në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ministri i Financave bëri të ditur se bilanci i fondeve me 31 mars ka arritur vlerën prej 450.06 milionë euro si rezultat i pranimit më të mëdha sesa pagesat, e që paraqitet një rritje prej 62.19 milionë euro.
Në këtë mbledhje të Qeverisë është aprovuar edhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2020-2022, ku ministri i Financave Bedri Hamza ka thënë se brenda periudhës afatmesme 2020-2022 rritja reale ekonomike pritet të jetë rreth 4.6 përqind.