Oda e Afarizmit të Kosovës ka organizuar sot një konferencë për media lidhur me udhëzimet administrative, të cilat janë në mospërputhje me Ligjin për Minierat dhe Mineralet, dhe po e pengojnë zhvillimin e bizneseve të këtij sektori.
Zyrtarë të Odës së Afarizmit të Kosovës me këtë rast kanë shprehur shqetësimet lidhur me problemet me të cilat po përballen bizneset, e që lidhen me ligjin për miniera e minerale dhe udhëzimet administrative të sektorit të pylltarisë.
Ata thanë se ligji dhe udhëzimet administrative nuk janë të harmonizuara mes vete, dhe se udhëzimet administrative duhet të ndryshohen pasi të njëjtat po e pengojnë zhvillimin ekonomik në vend.

Mirjeta Shala nga OAK ka folur për takimet e shumta që OAK ka zhvilluar me përfaqësues të institucioneve, dhe kërkesat e drejtuara institucioneve përgjegjëse për këtë çështje.
Ajo tha se kërkesa kanë adresuar edhe te kryeministri i Kosovës, ndërkohë bëri të ditur se peticioni për shfuqizimin e udhëzimeve administrative iu prezantua edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Duke theksuar që Projektligji për Miniera dhe Minerale tash e një vit është në Kuvendin e Kosovës, por që ende nuk është miratuar, Shala tha se kërkesë e OAK-ut është të kthehet edhe njëherë në dëgjim publik, në mënyrë që të dëgjohet zëri i bizneseve dhe të përfshihen rekomandimet e tyre.

E Rreze Cana, zyrtare për komunikim me biznese, përmendi disa raste ku ka mungesë harmonizimi ndërmjet ligjit dhe udhëzimit administrative.
Siç tha ajo, te Ligji për Miniera dhe Minerale thuhet se toka e marrë ka kohëzgjatje maksimale prej 25 vjetësh, ndërsa udhëzimi administrativ thotë që pas marrjes së vendimit, nënshkruhet kontrata nga kryeshefi ekzekutiv i APK-së dhe qiramarrësit për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm me qira të pyjeve dhe tokave pyjore shtetërore deri në 5 vjet.

Sipas saj, në këtë rast ka mungesë harmonizimi ndërmjet ligjit dhe udhëzimit administrativ, dhe që licenca e kufizuar në vetëm 5 vjet e pengon të bërit biznes në Kosovë.

Në konferencë u bë e ditur se me ministren e Bujqësisë, Diana Zhiviq, janë takuar tri herë gjatë këtij viti, dhe se ajo ka premtuar se do të ndërmerren hapa konkretë për zgjidhjen e problemeve të bizneseve të këtij sektori. Gjithashtu, u tha se ministrja ka premtuar që do të dërgojë në Kuvend Ligjin për pyje, përmes të cilit do të tejkalohen disa nga çështjet që po e bllokojnë sektorin.

Ndryshe, këto janë udhëzimet, të cilat Oda e Afarizmit të Kosovës po kërkon që të ndryshohen: Udhëzimi Administrativ Nr.10/2010, Neni 4 paragrafi 13.7 dhe paragrafi 13.8, të cilat kufizojnë kontratat e shfrytëzimit të tokave në 5 vjet dhe 5 ha;
Udhëzimi Administrativ MA – Nr 12/2005, paragrafi 1.b i nenit 8, obligon bizneset të paguajnë për shfrytëzim të pyjeve dhe tokës pyjore për destinime tjera ku vlera e shtimit vjetor të masës drunore për 25 vjet për pyjet cungishte dhe 60 vjet për pyje trungishte pa e shfrytëzuar atë pjesë;
Udhëzimi Administrativ MA-Nr.16/2007, Neni 1, paragrafi 7, që obligon bizneset të paguajnë taksë 0.20€ për vit për ndërtim të përkohshëm;
Vendimi për Ndalimin e Përkohshëm të Ndërrimit të Pasurisë së Paluajtshme të MBPZHR, i datës 20/07/2010.







