Ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë vazhdon të jetë qendër debati. Ndërkohë që qytetarët e Deçanit e konsiderojnë jetike ndërtimin e kësaj rruge, kryeministri Avdullah Hoti është pajtuar për pezullimin e punimeve pas ankesës së Manastirit të Deçanit.
Ky i fundit në DebatPlus të TV Dukagjinit ka thënë se çështja e ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë po politizohet pa asnjë nevojë.
“Ne kemi një vendim të Kushtetueses dhe ligjin për zonat e mbrojtura, sikurse është Manastiri i Deçanit dhe hapësira rreth tij. Unë si kryeministret kam për obligim të zbatoj ligjin dhe Kushtetutën. Unë kam pasur komunikim të rregullt me Sanja Janjiq për të shikuar mundësinë e zgjidhjes së këtij probleme. Unë nuk po marrë vendime arbitrare, por po bëj konsultime me të gjithë. Ne duhet ta ndiejmë veten përgjegjës edhe për Manastirin e Deëanit, pasi që është pasuri e shtetit të Kosovës, pavarësisht kundërshtimeve dhe zhurmave që mund të vijnë. Mënyra më e mirë për t’i bindur këta njerëz, në muajt e ardhshme ata do të shohin vendosmërinë time për këtë projekt. Para të huajve ne tregojmë se ne jemi zot shtëpie”, është shprehur Hoti.
Ai ka thënë se rruga Deçan-Plavë do të ndërtohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke mos saktësuar nëse do të ketë një devijim të ndërtimit të saj.







