Shefja e diplomacisë kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla është takuar sot në Belin me drejtorin e së Drejtës për Rrugë dhe Marrëveshje Ndërkombëtare në Ministrinë e Transportit dhe Digjitalizimit në Qeverinë e Gjermanisë, Guido Zielke me të cilin ka biseduar mbi procesin i avancimit të bisedimeve rreth njohjes së patentë-shoferëve mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Haradinaj- Stublla me këtë rast theksoi nevojën që ky proces të përmbyllet sa më shpejt ngase siç tha ajo janë me mijëra shqiptarë nga Kosova të cilët janë futur në tregun e punës në Gjermani dhe nuk kanë të drejtë të përkthejnë patentë- shoferët e tyre.

Ajo tha se Qeveria e Kosovës është e vendosur që të zbatojë rekomandimet e Qeverisë së Gjermanisë në mënyrë që kjo marrëveshje të përmbyllet sa më shpejt.

Nga ana e tij, drejtori i së Drejtës për Rrugë dhe Marrëveshje Ndërkombëtare në Ministrinë e Transportit të Gjermanisë, Guido Zielke u shprehur optimist se ky proces do të përmbyllet së shpejti.

Ai tha se pas vizitës që kishte realizuar delegacioni gjerman në muajin shkurt, priste që njohja reciproke e patentë-shoferëve të mbyllej qysh këtë vit, porse rrethanat pandemike kanë bërë të pamundur takimin e ekspertëve të të dyja vendeve.