Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka thënë sistemi zgjedhor dhe kushtetues i Kosovës deri më tani Vetëvendosjes ia garanton vetëm postin e kryetarit të Kuvendit, e jo postet tjera.

Në një intervistë për RTV Dukagjini, ai ka thënë se ky pozicion edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese është sqaruar që i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje.

Deputeti i zgjedhur i LDK-së ka thënë se LDK për shkak të negociatave ka anashkaluar daljen publike në televizione për të ndërtuar një klimë mirëbesimi, ndërkohë që sipas tij nga pala tjetër ka pasur vërshime të daljeve në studio televizive.

Ai ka thënë se nuk është e lehtë të nderohet një koalicion mes një partie të djathtë si LDK-ja me një parti të majtë si Vetëvendosje e që sipas tij këto janë partia e dytë dhe e parë.

Gashi ka thënë se LDK në pozicionin që është as nuk mund ta propozojë kandidatin për president pasi për një gjë të tillë duhen 30 vota e që LDK i ka vetëm 28.

“Për t’u zgjedhur presidenti duhen 2/3 të jenë të pranishëm në sallë që ne bashkë me Vetëvendosjen nuk i kemi. Prandaj duam që kjo çështje vetëm të hapet e jo të përmenden emra”, tha ndër të tjera Arben Gashi.

Ai ka thënë se e din se kush janë LVV, duke i kujtuar sulmet me molotov dhe sulmin ndaj Kuvendit ët Kosovës, për të cilin Gashi tha se ka pasur edhe arrestime.

I pyetur se pse po bisedojnë me ketë parti kur i dinë të gjitha këto, Gashi tha se është rrezik që t’i lihet qeverisja vetëm LVV-së, ndërsa deklaroi se nëse nuk arrihet marrëveshja me Vetëvendosjen, LDK do të jenë në opozitë.

Po ashtu ai ka thënë se nëse LVV nuk pranon që siç thonë me ia lënë hisen e madhe LDK-së, atëherë LDK-së t’ia jep hisen e vogël, ku përfshihet kryeministri.