E trishtë: Ndahet nga jeta gazetarja e njohur shqiptare

Një prej emrave të njohur të Radio Tirana International, Dashuri Murati, ndërroi jetën ditën e djeshme në moshën 68 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

Zonja Murati filloi punën në Radio Tirana International në vitin 1976, në seksionin e gjuhës turke.

Që prej atij viti, e derisa doli në pension, zonja Murati ishte një prej njerëzve me përgjegjësi të lartë dhe sa e sa herë është shfaqur në takime zyrtare të delegacioneve të nivelit të lartë mes dy vendeve.

Dasha, bashkëshorte e diplomatit Shaban Murati gjithashtu, kujtohet nga kolegët e saj në RTSH për profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e lartë.

Rrugën e ndjekur nga ajo mes gazetarësh e pasoi I biri, Erl Murati, që sot mban detyrën e kryeredaktorit të Gazeta Shqiptare.

Dashuri Murati ka fituar respektin e të gjithë kolegëve dhe dëgjuesve të saj gjatë punës dhe aktivitetit të saj të gjithanshëm në historinë e programeve të Radio Tiranës në gjuhën turke dhe më gjerë.

Për shkak të situatës së Covid-19, ceremonia do të zhvillohet në një rreth familjar, ndërkohë që familja lajmëron se pritjet do të zhvillohen të dielën në Hotel Mondial, nga ora 10.00 deri në orën 19.00.