E tmerrshme: 7 vite rresht dyshohet se një 9-vjeçare në Prishtinë u dhunua seksualisht nga njerku, gjykata e lë të lirë

Që nga viti 2005 një 9-vjeçare në Prishtinë, dyshohet se u abuzua seksualisht nga bashkëshorti i nënës, njerku. Keqtrajtimi seksual dyshohet se ka zgjatur për 7 vite radhazi. Vetëm në vitin 2014 ngrihet  aktakuzë ndaj tij. Pak ditë më parë, avokati i viktimës pranoi vendimin e gjykatës, dhunuesi u shpall i pafajshëm, “në mungesë të provave”.

Ky rast, të cilin për herë të parë e sjell InDoks dëshmon për zvarritjen e neglizhencën e treguar nga institucionet e drejtësisë në vend, që as pas një dekade pritje, nuk u vendos në interes të viktimës.

Se si u zbulua rasti, kur u paraqitë në polici e çka ndodhi tutje, detaje ka dhënë i viktimës i angazhuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Fitim Gashi.

Ai thotë se janë të dëshpëruar nga veprimet, fillimisht të policisë, prokurorisë e së fundmi edhe të gjykatës.

“Kemi të bëjmë me një rastin e një të miture, është rast i keqpërdorimit seksual për personat nën 16 vjet që ka ndodhur këtu në Prishtinë nga njerku i fëmijës. Rasti ka filluar të ndodhë nga viti 2005 dhe ka zgjatë diku deri në vitin 2011, rasti është paraqitë në polici në vitin 2012, pastaj nga viti 2012 deri në vitin 2014 ka vazhduar aktakuza, ku është ngritur në vitin 2014 dhe nga viti 2014 e deri para tri dite e kemi pranuar aktgjykimin nga Gjykata Themelore në Prishtinë ku i akuzuari lirohet nga akuza. Jemi shqetësuar të themi të drejtën, se unë e kam mbrojte kuadër të RrGK-së e kam përfaqësuar palën e dëmtuar, pra palën e mitur dhe kujdestaren e saj mirëpo ajo çka na ka dëshpëruar më së shumti ka qenë sjellja fillimisht nga ana e policisë e pastaj e prokurorisë dhe në fund e gjykatës”, ka sqaruar avokati Insajderin.

Avokati sqaron se si Policia e Kosovës tentoi të asgjësojë provat e se si prokuroria e kualifikoi sipas tij gabimisht veprën penale.

Sipas tij, njerku dhunues do të duhej minimalisht të dënohej me 15 vite burgim.

“Kur po them e policisë është se ka tentuar policia që me çdo kusht edhe me i fsheh provat, duke i asgjësuar p.sh telefonin e palës së dëmtuar, e cila e ka paraqitur si provë në polici, në fillim kur edhe e ka paraqit rastin pastaj prokuroria ka vazhduar me kualifikim të gabuar të veprës penale pasi siç e përmenda më lartë kemi të bëjmë me njerk. Njerku, pra dyshohet se e  ka kryer veprën ndërkaq kualifikimi ka qenë me një paragraf që ka qenë rrethanë tejet lehtësuese për të akuzuarin dhe jo në paragrafin, që në veprën penale e ka bërë si vepër të kualifikuar ku për të cilën është parapa minimumi 15 vite burg”, tha Gashi për InDoks.

Përkundër kërkesës së tij të vazhdueshme si palë mbrojtëse, që vepra të kualifikohej siç duhet, u shpërfillë në tërësi.

“Kërkesa ka hasur në vesh të shurdhër nga prokurori i çështjes. Pastaj, gjatë gjykimit ne e kemi përfaqësuar palën e dëmtuar, në të gjitha seancat, nga koha kur ne e kemi marrë rastin për ta përfaqësuar, dhe kemi qenë të sigurt që ka për të pasur një aktgjykim dënues për të akuzuarin për shkak se ka pasur prova materiale në masë goxha të madhe”, ka thënë avokati.

Avokati i viktimës, atëkohë të mitur përmend edhe faktin se si nuk u morë parasysh as prova kryesore, ekspertiza mjeko-ligjore.

“Këto prova kishin mujt shumë lehtë me vërtetu aktakuzën, mirëpo fatkeqësisht po duhet me thënë gjyqtari i çështjes ka refuzuar nxjerrjen e provave, p.sh nxjerrjen e ekspertizës mjeko-ligjore, përkundër propozimit kërkesë së prokurorisë, po ashtu propozimit tim si përfaqësues i së dëmtuarës për me nxjerr një ekspertizë mjeko-ligjore, për shkak se posedonim raporte mjekësore nga koha kur është kryer vepra dhe gjyqtari pa një arsye konkrete i refuzon edhe kërkesën e prokurorisë edhe propozimin të përfaqësuesit, dhe si përfundim i kësaj nuk e nxjerr atë provën që kishte mujt me qenë prova kryesore”, deklaron avokati.

Gjatë bisedës, ai konfirmoi se kanë pasur edhe prova tjera materiale, si deklaratat e dëshmitarëve, por që s’janë marrë parasysh.

Ndërkohë, Kosova më 27 gusht u tronditë nga rasti i 11-vjeçares në kryeqytet. Ajo dyshohet se u dhunua seksualisht nga 5 persona në muajin gusht e nga 6 tjerë në muajin qershor. Të dyshuarit tanimë janë arrestuar.

Pas rastit ka pasur dorëheqje të njerëzve në institucionet e zbatimit të ligjit. Ka pasur edhe shkarkime e transfere. Kanë nisur hetime nga Inspektorati Policor edhe në vet Policinë e Kosovës.