E thotë zyrtari i PDK-së: Emrat e Vlora Çitakut dhe Gent Cakajt, të përfolur për kryetar të PDK-së

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka folur rreth zgjedhjes së kryetarit të kësaj partie.

Gjoshi ka thënë se emrat e ish-ambasadores kosovare në SHBA, Vlora Çitaku dhe ish-ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme në Shqipëri, Gent Cakajt, kanë qenë të përfolur për kryetar të PDK-së.

Ai tha se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare ndaj tyre për këtë pozitë, por që të njëjtit sipas tij janë të mirëseardhur për anëtarësim në PDK.

“Është diskutuar, ndoshta jo zyrtarisht, nuk kemi pare ndonjë ambicie të tyre, por ka qenë e drejtë e tyre. Ka pasur diskutime, është e drejtë e një subjekti demokratik. Kemi shkëmby sms me Vlora Çitakun gjatë kohës sa ishte krijimi i listës zgjedhore, me Cakajn nuk njihemi personalisht. Janë njerëz me vlera, janë të mirësëardhun në një garë të ardhshme”, ka shtuar tutje Gjoshi në T7.

Sa i përket zgjedhjeve të brendshme dhe reformave përbrenda subjektit politik, ai ka thënë se ndonëse nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur do të mbahen ato, ai parasheh se pritet të mbahen para zgjedhjeve lokale.