Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar përmes një postimi publik, duke vlerësuar lart figurën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe duke e cilësuar atë si shembull të rrallë të virtytit të faljes në politikën kosovare.
Ramosaj shkruan se ndaj Haradinajt dhe familjes së tij janë bërë e janë thënë shumë padrejtësi ndër vite, pavarësisht faktit se ata, sipas tij, kanë përfaqësuar idealin e çlirimit dhe kanë qenë ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai thekson se fyerjet dhe sulmet kanë qenë të rënda dhe shpesh të pakuptueshme, por megjithatë, Haradinaj ka zgjedhur rrugën e faljes.
“U bë e çka nuk u bë kundër tij dhe familjes së tij… dhe Ramushi fal,” shkruan Ramosaj, duke e cilësuar këtë si një virtyt që meriton respekt.
Ai shton se është pozitive që në politikë ka reflektim, por njëkohësisht kujton se, edhe pse plagët shërohen, varret mbesin, duke nënvizuar peshën e fjalës dhe përgjegjësinë publike. Në fund, Ramosaj përdor shprehjen popullore “Goja të vjerrë e goja të nxjerrë”, si mesazh për kujdesin në deklarime dhe diskurs publik.
Postimi i Ramosajt ka ngjallur reagime të shumta, duke rikthyer në vëmendje debatin mbi gjuhën politike, faljen dhe përgjegjësinë morale në jetën publike.







