E rrahën mërgimtarin në kufi, IPK-ja nis hetimet ndaj policëve

Të martën e 22 tetorit po vinin nga Zvicra në Kosovë, por duket se rruga e familjes Idrizi për në vendlindje nuk ka qenë e lehtë. Kjo pasi njëri prej djemve të kësaj familjeje raportohet të jetë rrahur nga policia kufitare. E për këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet.

Kështu të paktën ka deklaruar kryefamiljari Rexhep Idrizi. Ai ka thënë se policët kufitar në pikën kufitare te “Dheu i Bardhë” e kanë rrahur thuajse për vdekje djalin e tij, i cili tash e një kohë është në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Pas një pritje në kufij diku rreth 30 minuta, u futen në Kosovë. Duke menduar se polica e sigurimit e veturës sime vlen edhe për Kosovë, ne fare nuk e morëm atë në pikën kufitare. Ne kemi vazhduar rrugën dhe kur arritëm në fshatin Ranillugë, na ndali policia në rruge na i mori pasaportat dhe na urdhëroi të kthehemi sërish për në pikën kufitare ku kemi hyre ne”, kishte deklaruar Idrizi.

E tashmë kanë filluar hetimet për policët e dyshuar. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express Inspektorati Policor i Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar ankesën nga qytetari/ankuesi në fjalë më 25 Tetor 2019. E njëjta fillimisht është pranuar në Departamentin për menaxhimin e ankesave e pastaj është transferuar sot në Departamentin e hetimeve të IPK-së.”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të IPK’së.

IPK’ja ka theksuar se pas hetimeve preliminare do të ndërmerren veprimet e tjera të nevojshme për ndriçimin e këtij rasti.

“Hetuesit e IPK-së janë në fazën e hetimeve preliminare dhe do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera në koordinim edhe me prokurorin kompetent drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka theksuar IPK’ja.

Familja Idrizi kishte deklaruar se nuk do të kthehen në Zvicër derisa rasti i djalit të tyre të zbardhet.

Rexhep Idrizi kishte deklaruar se i tërë konflikti me policinë kufitare kishte filluar rreth policës së sigurimit të veturës së tij.

“Pas një pritje në kufij diku rreth 30 minuta, u futen në Kosovë. Duke menduar se polica e sigurimit e veturës sime vlen edhe për Kosovë, ne fare nuk e morëm atë në pikën kufitare. Ne kemi vazhduar rrugën dhe kur arritëm në fshatin Ranillugë, na ndali policia në rrugë na i mori pasaportat dhe na urdhëroi të kthehemi sërish për në pikën kufitare ku kemi hyrë ne. Djali im aty ka qenë duke ndërruar jetë prej torturës, mezi e kanë zgjuar policia sepse ai aty e ka humb vetëdijen”, kishte thënë Idizi.

loading…