E rëndë në Tiranë, ndërron jetë i riu pasi u kap nga policia

Policia e Shtetit, përmes Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore bën me dije se një persona ka ndërruar jetën mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë ndërsa po shoqërohej në ambientet e komisariatit.

Sipas njoftimit, shtetasi Laer Kurti, 32 vjeç, u largua me shpejtësi kur pa patrullën dhe në momentet e shoqërimit në komisariat shfaqi probleme shëndetësore. Ai u dërgua më pas në Spitalin e Traumës ku ndërroi dhe jetë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton, se nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentet e identifikimit, shtetasi L. K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.