Një burrë dhe një grua me origjinë shqiptare janë gjetur të vrarë me armë zjarri mëngjesin e kësaj të diele në zonën e Nea Smyrnit, në Greqi.
Dy trupat janë gjetur në hyrje të një pallati në rrugën Grigoriou Kydonia, ndërsa autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Sipas informacioneve fillestare, gruaja, rreth 45 vjeçe, kishte plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit në pjesën e trupit dhe mundësisht edhe në fytyrë.
Burri, ndërkohë, kishte pësuar një plagë në kokë, shkruan abcnewsal.
Hetimin për rastin e ka marrë përsipër Drejtoria për Luftimin e Krimit të Organizuar (DAOE), ndërsa deri më tani arma e krimit nuk është gjetur.
Autoritetet po kontrollojnë zonën për prova dhe gjurmë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Sipas të dhënave të para, dy viktimat nuk rezultojnë të kenë qenë banorë të pallatit në hyrje të të cilit u gjetën.
Policia po punon për të identifikuar plotësisht viktimat dhe për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur para të shtënave, si dhe nëse dy personat kanë pasur ndonjë lidhje me njëri-tjetrin.







