E rëndë: Burri djeg bashkëshorten brenda veturës, pastaj vetëvaret në pemë

Një ngjarje tepër e rëndë është shënuar mesditën e sotme në fshatin Manskuri të Kavajës, ku është gjetur plotësisht i djegur një automjet.

Brenda makinës është gjetur dhe një kufomë, e cila dyshohet se i përket shtetases Fëllënxa Shirja.

Dyshohet se bashkëshorti ka djegur për së gjalli gruan e tij dhe pas këtij akti makabër 48-vjeçari, shtetasi Bilbil Shirja, është vetëvarur në një pemë.

Grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po hetohet për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Kavajë/Informacion paraprak

Më datë 10.04.2021, rreth orës 11:45, në fshatin Manskuri, Kavajë, është gjetur i djegur plotësisht një mjet.

Brenda mjetit është gjetur një kufomë e djegur, e cila dyshohet se i përket shtetases me iniciale F. Sh., 45 vjeçe.

Nga kontrolli i zonës përreth është gjetur i vetëvarur në një pemë bashkëshorti i saj, shtetasi B. Sh., 48 vjeç.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin dhe zbulimin e rrethanave te ngjarjes.