E pranon Albulena Haxhiu: Nuk i kemi 80 vota për presidentin, ata që s’e votojnë Vjosën përgjegjës nëse vendi shkon në zgjedhje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shkruar për zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës, të nxitura nga një nismë e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.

Haxhiu ka shkruar se më 14 shkurt qytetarët kanë votuar edhe për emrin e kandidatit për kryeministër por edhe për emrin e kandidates për presidente.

Sipas saj, mesazhi i qytetarëve që u dha më 14 shkurt nuk po përfillet nga opozita. Madje, Haxhiu thotë se ky vullnet po injorohet e po shkelet.

Haxhiu tutje ka thënë se VV nuk dëshiron zgjedhje, por se moszgjedhja e Presidentit e dërgon vendin në zgjedhje dhe përgjegjësia  nëse kjo ndodh duhet të ju mbetet atyre që bllokojnë zgjedhjen e presidentit.

Reagimi i plotë:

Ne nuk i duam zgjedhjet por moszgjedhja e Presidentit e dërgon vendin në zgjedhje prandaj përgjegjësia për këtë i mbetet atyre që e injorojnë vullnetin e qytetarëve dhe e bllokojnë zgjedhjen e Presidentit.

Më 14 shkurt, qytetarët kanë votuar edhe për emrin e kandidatit për kryeministër por edhe për emrin e kandidates për presidente.
Ne kemi qenë transparent para qytetarëve. Mesazhi që kanë dhënë qytetarët ishte i qartë. Por ky mesazh e vullnet nuk po përfillet nga opozita. Sërish po injorohet e shkelet.

Ne nuk kemi çfarë t’ju bëjmë atyre që mendojnë që për votën e Presidentit, duhet dhënë terminale doganore, poste diplomatike a tendera.

Ka qenë e qartë. Ne nuk i kemi pasur 80 vota për Presidentin.

Ata që po thonë se e paskemi provokuar situatën me ligjin sepse votat i keni pasur, janë të njëjtit që thonin se A.Veliu nuk është dashur të shkarkohet se ai veprim e provokoi rrëzimin e Qeverisë anipse dihej që Qeveria s’ka pasur në plan të votohej, po kur u votua ka pasur plan të rrëzohet.

Ne nuk i duam zgjedhjet por moszgjedhja e Presidentit e dërgon vendin në zgjedhje prandaj përgjegjësia për këtë i mbetet atyre që e injorojnë vullnetin e qytetarëve dhe e bllokojnë zgjedhjen e Presidentit.